Komuna e Gostivarit përkujton Dëshmorët e Flamurit

Shpërndaje

Kryetari i komunës së Gostivarit Arben Taravari me bashkëpunëtorët e tij në administratën komunale, përkujtoi sot Dëshmorët e Flamurit: Nazmi Saliu nga fshati Turçan i Vogël, dr.Shpend Iseini nga fshati Forinë dhe Milaim Dauti nga fshati Dobërdoll – të cilët më 9 korrik të vitit 1997 dhanë jetën e tyre, për avancimin e të drejtave shqiptare dhe për flamurin kombëtar.

“Nëntë korriku i vitit 1997, ishte një nga ngjarjet më domethënëse në mbrojte të kauzës kombëtare, që tronditi botën shqiptare dhe që ndryshoi njëherë e përgjithmonë sjelljen me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Ndryshimi titanik u desh të merrte jetët e tre dëshmorëve të flamurit, Nazmi Saliut, Dr. Shpend Iseinit dhe Milaim Dautit. Tre jetë të cilat janë shkruar përjetësisht në historinë e të gjithë popullit shqiptarë. Ndërkaq, Gjykata Themelore e Gostivarit, e ndikuar nga politika ditore, u shqiptoi dënime drakonike krerëve komunalë të asaj kohe: Kryetari Rufi Osmani u dënua me 13,8 vite burg dhe Kryesuesi i Këshillit Refik Dauti, me 7 vite burg. Meritat për valëvitjen zyrtare të flamurit kombëtar shqiptar para Komunës së Gostivarit sot, si edhe në vitin 1997, u takojnë dëshmorëve të flamurit, të cilëve u jemi mirënjohës që na dhanë të drejtën historike që të shpalosim flamurin e atyre që na lindën dhe që na dhanë jetë e emër. Qoftë i nderuar emri i tyre ndër shekuj! Le te jetë kujtesa historike dhe institucionale e përjetshme për dëshmorët e flamurit!”, deklaroi kryetari Taravari.

Ai shtoi se është detyrë e çdo institucioni të mbrojë kujtimin e tyre dhe ta përçojë veprën e tyre si një akt lirie dhe dëshire për jetë.