Maqedonasit me minus 10 deputetë, shqiptarët plus 14 (TABELA)

Shpërndaje

LSDM dhe VMRO-DPMNE, sipas projeksionit të KSHZ-së për mandatet e fituara, në përbërjen e re parlamentare do të kenë më pak deputetë se sa deri më tani, përderisa BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët do ta rrisin përfaqësimin e tyre në Parlament. Koalicioni “Mundemi” i kryesuar nga LSDM-ja në përbërjen e re parlamentare do të ketë 46 deputetë, ndërsa në atë paraprake kishte 49. VMRO-DPMNE tani do të ketë 44 deputetë, shtatë më pak se në përbërjen e mëparshme.

Dy partitë në këto zgjedhje fituan edhe më pak vota në krahasim me vitin 2016. Për LSDM-në votuan 324.084, ndërsa në vitin 2016 kishin votuar 436.981 qytetarë. VMRO-DPMNE tani fitoi 312.745 përkundër 454.577 para katër viteve. Në zgjedhjet e së mërkurës, megjithatë, jehona ishte më e vogël se sa në zgjedhjet e vitit 2016. Në votim dje dolën rreth 923.000 qytetarë ose 51 për qind, ndërsa në vitin 2016 votuan 1.191.852 ose 66.79 për qind. Këto zgjedhje u mbajtën edhe në kushte specifike të krizës korona dhe votim nën protokolle të posaçme shëndetësore.

BDI e cila deri më tani kishte 10 deputetë, në Parlamentin e ri do të ketë 15, ndërsa Aleanca për Shqiptarët e cila tani është në koalicion me Alternativën – prej tre deputetë tani do të ketë 12 deputetë. PDSH do të ketë një deputet, në vend se dy si deri më tani. BDI në zgjedhjet e djeshme fitoi 15.000 vota më shumë në krahasim me vitin 2016, ose 101.432, ndërsa për Aleancën për Shqiptarët dhe Alternativën votuan 76.425 më shumë se sa para katër viteve.

“E Majta”, e cila për herë të parë hyn në Parlament dhe në përbërjen e re parlamentare do të ketë dy deputetë, fitoi 37.057 vota që është për 25.000 më shumë se sa në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. PDSH fitoi 13.553 vota, që është gati dyfish më pak se në zgjedhjet e vitit 2016. Lëvizja BESA e cila në këto zgjedhje ishte në koalicion me LSDM-në, në zgjedhjet kaluara fitoi 57.868 vota dhe kishte pesë deputetë në Parlament. Grupi parlamentar i BESËS pastaj u nda dhe tre deputetë kaluan te Alternativa, e cila në këto zgjedhje është në koalicion me Aleancën për Shqiptarët./koha.mk