Maqedoni: Inspektorati prej sonte do t’i mbyllë klubet e natës

Shpërndaje

Pas ahengjeve skandaloze nëpër diskoteka dhe klube nate ku nuk respektoheshin masat për mbajtjen e maskave dhe distancës, nga inspektorati i tregut paralajmërojnë se prej sonte do t’i mbyllin të gjitha objektet që nuk do t’i respektojnë protokollet për punë.

Drejtori i Inspektoratit të tregut, Stojko Paunov tha për Alsat se pronarët e klubeve i kanë keqpërdorur paralajmërimet nga inspektorati dhe në vend se të korrigjohen, ata vetëm se kanë blerë kohë dhe të punojnë jashtë protokolleve të parapara.

Paunovski thotë se tani autorizimet e tyre do jenë njëjtë si në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme, kur në vendngjarje mund të mbyllin objektin ku nuk respektohen masat. Tani nuk do ketë më paralajmërime dhe dhënie afat prej tetë ditëve të përmirësohen gabimet siç ishte praktikë deri më tani.

Ndërsa Prokuroria Themelore Publike në Prilep tashmë ka hapur çështje pas informacionit të marrë. Prokurorët me vetiniciativë do t’i hetojnë dyshimet për shkelje të rregullave shëndetësore gjatë pandemisë sipas Kodit Penal.

Në kushtet e Kovid 19, në kundërshtim me rregullat ligjore dhe masat e përcaktuara në objekte gastronomike është organizuar aheng me një numër të madh vizitorësh, gjë që është e patolerueshme, thonë nga prokuroria.

Këtë fundjavë, në rrjetet sociale u shfaqën një video nga ahengje nëpër disko, koncerte në restorante, ahengje në pishina dhe madje edhe dasmë tradicionale ku vallëzohej./Alsat/