Mediat e huaja: Socialdemokratët pro-evropianë fitojnë zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, pasojnë negociata të vështira për koalicion

Shpërndaje

Socialdemokratët pro-evropianë fituan një fitore të ngushtë në zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut më 15 korrik dhe do të përpiqen të formojnë një qeveri të re, për të cilën janë përpara bisedimet komplekse të koalicionit, thonë mediat e huaja në rishikimet dhe raportet e zgjedhjeve në vend.

Radio Evropa e Lirë (REL) raporton se LSDM-ja e ish-kryeministrit Zoran Zaev fitoi 46 vende në parlamentin me 120 anëtarë, më pak se 61 të kërkuara për një shumicë parlamentare, ndërsa opozita VMRO-DPMNE fitoi 44 deputetë.

“Rezultatet e tilla nënkuptojnë që Zaevi do të duhet të marrë mandatin që LSDM-ja e tij të formojë një qeveri të re, me shumë mundësi ai do të duhet të bashkohet me partitë që përfaqësojnë popullsinë etnike shqiptare në vend, gjë që përbën rreth një të katërtën e 2.1. milionë banorëve”, vlerëson radioja.

Por edhe VMRO-DPMNE, lideri i të cilës, Hristijan Mickoski, sipas Radios Evropa e Lirë, drejtoi një fushatë negative duke sulmuar Zaevin dhe duke rënë në retorikë nacionaliste-populiste, njoftoi se ai është ende në garë për të formuar një qeveri të re.

Analisti politik Albert Musliu për REL-në tha se duke pasur parasysh rezultatet e zgjedhjeve, do të ishte e vështirë për partitë shqiptare të “anashkalojnë LSDM-në dhe të formojnë një koalicion me VMRO-DPMNE-në”.

Blumberg, nga ana tjetër, vlerëson se LSDM-ja arriti një fitore të konsiderueshme në zgjedhje dhe megjithëse nuk arriti të fitojë një shumicë, ajo prapë do të përpiqet të formojë një qeveri koalicioni në këtë vend që aspiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

“ Drama e brendshme zhvillohet në kushte trazirash politike në Ballkan. Rajoni i shkatërruar nga lufta mendohej se kishte lënë anash më të keqen nga pandemia e koronavirusit, por një valë e dytë shpërthimesh ka ngjallur zemërim publik në Evropën juglindore”, citon agjensia.

Blumberg kujton se ish qeveria e Zaevit nënshkroi një marrëveshje me Greqinë për të zgjidhur mosmarrëveshjen për emrin dhe kështu hapi rrugën që vendi të anëtarësohej në NATO dhe BE pas stagnimit me dekad . Vendi kështu u bë anëtari i 30-të i NATO-s në mars, dhe në korrik BE-ja njoftoi një kornizë për negociatat mbi anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Union.

“Zaevi dha dorëheqjen në janar, pasi nuk arriti të sigurojë një datë për fillimin e negociatave të anëtarësimit në BE. Është e paqartë nëse ai do të jetë në gjendje të formojë një koalicion të ri qeverisës. Për këtë pozicion do të luftojë edhe VMRO-DPMNE. Partia, ish udhëheqësi i së cilës u largua në Hungari për të shmangur vuajtjen e dënimit me dy vjet burg për shpërdorim detyre, akuzon Socialdemokratët e Zaevit që përqendrohen në integrimin perëndimor dhe injorojnë problemet e brendshme. Ajo gjithashtu kritikon që ata nuk arritën ta zgjidhnin problemin me koronavirusin edhe përkundër vendosjes së disa prej masave më të rrepta në Evropë, shton Blumberg.

“Katimerini” me qendër në Athinë shprehet se pas fitores së ngushtë në zgjedhje, Socialdemokratët njoftuan se janë të gatshëm të “fillojnë negociatat e ndërlikuara për ndarjen e pushteteve”, por rivalët e tyre kryesorë konservatorë nga VMRO-DPMNE, të cilët mbeten pas me më pak se dy për qind të votave, besojnë se ata përfundimisht mund të dominojnë negociatat dhe të formojnë një qeveri.

“Në negociatat për koalicion do të përfshihen partitë që përfaqësojnë pakicën etnike shqiptare. Partia kryesore shqiptare BDl-ja, e cila fitoi 15 vende në parlament, thotë se dëshiron një politikan etnik shqiptar për kryeministër si një kusht për bisedimet e koalicionit – një kërkesë që të dy partitë e mëdha e kanë refuzuar në mënyrë kategorike”, shtoi Katimerini.

Frans pres raporton se megjithëse Socialdemokratët e Zaevit kanë njoftuar se fitorja e tyre në zgjedhje po e mban vendin në rrugën e duhur për anëtarësimin eventual në BE, partia do të përballet ende me bisedime potencialisht të vështira me koalicionin pas një fitoreje të ngushtë ndaj rivalëve nacionalistë.

“Zaev shpreson të formojë një qeveri të re për bisedimet e anëtarësimit (me BE-në), për të cilën vendi ka marrë dritën jeshile dhe mund të fillojë më vonë këtë vit, që do të shënojë një fazë të re në integrimin e Maqedonisë së Veriut me Perëndimin, pasi në mars vendi u bë anëtarja e 30-të e NATO-“, vlerëson AFP.

Në analizë shtohet se Zaevi me siguri do të jetë i pari që do të ketë mundësinë për të formuar një qeveri të re dhe mund t’i drejtohet partnerit aktual të koalicionit BDl dhe të krijojë një koalicion që do të kishte një shumicë të ngushtë në Parlament.

Nga ana tjetër, sipas agjencisë, VMRO-DPMNE-ja është ajo që e konsideron marrëveshjen me Greqinë për të ndryshuar emrin e vendit një poshtërim kombëtar. “Edhe pse partia nuk kërcënoi në mënyrë të qartë prishjen e Marrëveshjes, mund të pritet që një qeveri nacionaliste në Maqedoninë e Veriut të ketë marrëdhënie më të tensionuara me Greqinë, Bullgarinë dhe fqinjët e tjerë,” konsideron AFP.

“Vatikan Njuz” në tekstin kushtuar zgjedhjeve në vend citon deklaratën e analistit Joanis Armakolas nga Fondacioni Grek për Politikë Evropiane dhe të Jashtme, i cili beson se rezultatet e zgjedhjeve treguan se “votuesit ende i besojnë Zaevit se ai do të ketë sukses në përpjekjet që Maqedona e Veriut të bëhet anëtae e BE-së ”.

“Kur bëhet fjalë për Zoran Zaev, arritjet e tij deri më tani kur bëhet fjalë për reformat e brendshme janë të dobëta. Por unë do të thoja që është një hartë më e sigurt që do ta çojë vendin drejt Brukselit, thotë Armakolas.

Rasha Tudej pretendon se Socialdemokratët kanë fituar ndaj rivalëve të tyre nacionalistë.

“Këto ishin zgjedhjet e para parlamentare qëkurse Socialdemokratët i shtuan mbiemrin ” e Veriut” emrit të vendit vitin e kaluar. Ky hap i dha fund kontestit të gjatë disadekadësh me Greqinë dhe e solli këtë vend ballkanik në NATO, duke hapur derën për anëtarësimin e ardhshëm në BE”, shtoi RT.

Sipas mediave ruse, LSDM-ja e qendrës së majtë fitoi “vetëm 35.8 përqind të votave” dhe nuk ka shumicë në parlament, kështu që tani do të përballet me bisedime të ashpra për koalicion për të formuar një qeveri. “ Krahu i djathtë, VMRO-DPMNE mbetet pas me 34.5 për qind të votave. Kjo parti formalisht është pro-BE, por ishte kritike për marrëveshjen e emrit, duke e quajtur atë një “tradhti”, citon RT.

Mediat gjithashtu raportuan se një “sulm i dyshimtë hakerimi” çoi në mosfunksionim e faqes së internetit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në vend pas përfundimit të zgjedhjeve, duke vonuar publikimin e rezultateve paraprake.

Sipas “Ballkan Insajt”, përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupi haker “Maqedonia Anonime”, duke thënë se hapi I tyre ishte një përgjigje ndaj “premtimeve boshe nga të gjitha partitë politike në këtë vend të bukur”.

Konkluzioni i mediave të huaja është se negociatat për formimin e një qeverie të re me siguri do të jenë të gjata dhe dhe të mbushura me pazare politike, por gjithsesi në fund rezultatet e zgjedhjeve do të kontribuojnë në avancimin e integrimit euro-atlantik të vendit.

Sipas tyre, këto zgjedhje kishin implikimet më të gjera gjeopolitike, duke pasur parasysh që BE-ja dhe SHBA-ja janë duke u përpjekur të afrojnë Maqedoninë e Veriut pranë vetes dhe të parandalojnë përpjekjet e Rusisë dhe Kinës për të rritur ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor.

Mediat e huaja si kuriozitet të këtyre zgjedhjeve përmendin që për herë të parë një parti shqiptare – BESA, formoi një koalicion parazgjedhor me njërën nga partitë maqedonase – LSDM-në.