Njerëz nga të gjitha sferat e jetës prezentë në Xhaminë e Madhe të Ajasofjes

Shpërndaje

Njerëz nga të gjitha sferat e jetës morën pjesë në faljen e namazit të parë të xhumasë në Xhaminë e Madhe të Ajasofjes, e cila u rihap për adhurim pas 86 vjetësh, raporton Anadolu Agency (AA).

Burra, gra, të moshuar dhe fëmijë u panë duke pritur në 11 pikat e kontrollit. Policia kontrolloi adhuruesit, ndërsa personeli mjekësor kontrolloi temperaturën dhe maskat e tyre në përputhje me masat për parandalimin e koronavirusit të ri (COVID-19).

Për të kursyer kohë, disa njerëz merrnin avdes në xhamitë përreth. Shumë persona mbanin flamuj turq dhe sexhade për t’u falur.

Një shërbim transferimi u nis për të transportuar të huajt dhe të tjerët nga një vend parkimi i caktuar në qarkun Yenikapi.

Me autostop për në namazin e parë

Ali Kemal Evlioğlu për AA tha se ka ardhur në Stamboll duke bërë autostop nga provinca Samsun e Detit të Zi, duke shtuar se është i lumtur që mund të falë namazin e parë në Xhaminë e Madhe të Ajasofjes.

“Ne i shndërruam vitet e mërzisë së pritjes në lumturi. Kjo është arsyeja pse ne jemi të lumtur”, tha Evlioğlu.

Një qytetar tjetër, Faysal Karakuş tha se ai erdhi nga provinca lindore Elazığ, duke shtuar: “Ia vlejti pritja 86-vjeçare. Falë Zotit, ne mund të shohim një ditë të këtillë. Jemi shumë të lumtur”.

Kadir Ozver, një banor i Stambollit tha se edhe pse ka dalë nga shtëpia e tij herët në mëngjes, ishte e vështirë të arrinte në xhami për shkak të turmës.

Adem Çınar tha se kjo ishte një ëndërr që u realizua dhe se ai do të falë namazin duke mbajtur flamurin turk.

Mehmet Bozdağ tha se bashkë me miqtë e tij erdhi nga Izmiri në Stamboll.

“Ajasofja na është besuar nga Sulltani Osman Mehmet II, çliruesi i Stambollit. Simboli i çlirimit është thelbësor që Stambolli të jetë Stambolli”, shtoi Bozdağ.

Rrugë e gjatë nga Gjermania

Ikbal Çetin, një qytetar që jeton në Gjermani, erdhi në Turqi me dy fëmijët e tij për të falur namazin e parë të xhumasë pas 86 vjetësh në Xhaminë e Madhe të Ajasofjes.

Vajza e tij, Seher Çetin tha se ata dëshironin “të jenë dëshmitarë të historisë”.

“Ne kemi vizituar Ajasofjen më parë. Ne ishim të zhgënjyer që nuk ishte e hapur për adhurim, por tani jemi të lumtur”, tha ajo.

Ajasofja është ndër destinacionet kryesore turistike në Turqi për vizitorët vendas dhe të huaj.

Në vitin 1985, gjatë kohës së saj si muze, Ajasofja u shtua në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Ajo shërbeu si kishë për 916 vjet deri në çlirimin e Stambollit dhe si xhami nga viti 1453 deri në vitin 1934, pothuajse gjysmë mijëvjeçari dhe së fundmi si muze për 86 vjet.

Më 10 korrik, një gjykatë turke anuloi dekretin e kabinetit të vitit 1934 që e kishte shndërruar Ajasofjen në muze, duke i hapur rrugën përdorimit të saj përsëri si xhami pas një periudhe 86 vjeçare.

Më 16 korrik, Drejtoria e Çështjeve Fetare në Turqi nënshkroi protokoll bashkëpunimi me Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit për të drejtuar Ajasofjen pas shndërrimit të saj në xhami.

Sipas protokollit, Ministria e Kulturës dhe Turizmit do të mbikëqyrë punën e restaurimit dhe konservimit ndërsa Drejtoria e Çështjeve Fetare do të mbikëqyrë shërbimet fetare.

Thesari arkitektonik po ashtu do të jetë i hapur falas për turistët vendas dhe të huaj.

Foto: ( Muhammed Enes Yıldırım – Anadolu Agency )