Patriotizmi ekonomik-motori i një shteti dhe kombi të fuqishëm

Shpërndaje

Shkruan: Dervish Alimi

Në shekullin e kaluar, nacionalizmi romantik dhe populizmi folklorik ishin një vokabular muzikal që tingëllonte bukur për veshët e njerëzve të thjeshtë, të cilët frymëzoheshin dhe mallëngjeheshin nga poezitë dhe tregimet e atyre që i bienin instrumenteve të tilla muzikore të shoqëruar me këngë me prapavijë dhe synime politike.

Në një kohe kur duhej ngritur vetëdija kombëtare e pjesëtarëve të një populli të robëruar për nevojën e mbrojtjes së pragut të shtëpisë dhe të familjes, dhe për mbrojtjen e popullit nga zhdukja dhe asgjësimi, këngët e tilla folklorike dhe nacionalromantike përplot me ngjarje epike dhe heroike, e kryenin me sukses dhe misionin e tyre patriotik dhe historik.

Një popull i shkelur dhe i torturuar doemos të frymëzohej nga këngët nacionalromantike dhe populiste për të nxitur rebelimin e njeriut të shtypur dhe të nëpërkëmbur, pëer qëlllim të ngritjes krye ndaj shtypësit dhe pushtuesit që i përkiste një kombi dhe feje tjetër.

Dashuria ndaj familjes dhe kombit të cilit i takon dhe me të cilin identifikohet në komunikim me të tjerët është tipare karakteristike e personalitetit dhe integritetit individual dhe kolektiv, por kjo është vetëm fillimi dhe pika e nisjes në rrugëtimin jetësor nacional, tashmë në kushtet e globalizimit modern.

Në kushte të emigrimit masiv global, perkatësia etnike dhe dashuria ndaj kombit nuk është determinante për zgjedhjen e vendit të jetesës dhe të ardhmërisë familjare, dhe kjo nuk vlen vetëm për ne shqiptarët.

Vendlindja dhe atdheu nuk janë motivi dhe qëllimi final i njeriut, të cilit tashmë nuk i mjafton vetëm të frymëzohet nga dashuria romantike dhe e parezervë ndaj kombit, sepse shikuar nga ky aspekt do të duhej t’i konsideronim lombëtarë dhe patriotë vetem ata qe nuk e braktisin vendlindjen dhe trevat e te parëve të tyre, pëer një mirëqenie më të mirë ekonomike.

Shikuar nga ky këndvështrim, do të meritonin t’i quanim kombëtarë dhe patriotë vetëm ata që vendosin të qëndrojnë në vendlindje, në mënyrë që frytet e punës së tyre të mbeteshin në shfrytëzim të të gjithë bashkëkombasve dhe jo në shfrytëzim të vendeve dhe shteteve të huaja.

Anasjelltas, sipas vokabularit nacionalromantik dhe populist do të duhej t’i quanim ‘tradhëtarë” atë që i braktisin trojet e të parëve të tyre dhe vendosin të krijojnë ardhmërinë e tyre dhe te fëmijeve të tyre në një vend të huaj, ku flitet një gjuhë e huaj.

Ky është argumenti vendimtar që na bind të gjithëvë se tashmë vokabulari folklorik dhe nacionalizmi romantik nuk na mjaftojnë për ta quajtur veten kombëtar dhe atdhedashës.

Prandaj edhe nuk mjafton të flasim vetëm për himne dhe flamuj, për ngjarjet epike dhe heroike të luftërave të mëparshme çlirimtare, dhe nuk na mjafton më të kenaqemi me përmendore dhe muzeume ku pershkruhen ngjarje të lavdishme nga historia e kaluar kombëtare.

Në kushte të globalizmit modern, një komb është i madh dhe i fuqishem vetëm nëse ka një ekonomi të fuqishme, në të cilin asnjë pjesëtar i atij kombi, nuk do të kërkonte shkas që ta braktiste atë, në kërkim të një mirëqenie më të mirë ekonomike per pasardhësit e vet.

Një patriot i ëertetë dhe i mirëfilltë do të ishte ai që me shkathtësite dhe dijen e vet të akumuluar ndër vite, krijon kushte të garës së barabartë ekonomike, dhe tërheq të gjithë afaristët e aftë dhe të suksesshëm, që kapitalin e tyre ekonomik ta vënë në shërbim të ngritjes ekonomike të vendlindjes.

Një komb është nacionalist dhe patriot vetëm kur ndërton një shtet të fuqishëm ekonomik, ku banorët e tij do të punonin me të gjitha forcat për të derdhur mundin dhe djersën në tokat e të parëve të tyre, si në ndërtimin e rrugëve dhe autostradave moderne në shërbim të zhvillimit të shpejtë ekonomik dhe të tregtisë apo këmbimit të lirë te mallerave, etc.

Vetëm një komb dhe një shtet që ndërton një bujqësi të fuqishme kombëtare ku nuk len asnjë copë toke pa mbjellur me kultura bujqësore dhe i cili krijon një industri të fuqishme shtetërore që eksploaton pasurinë dhe burimet natyrore nëntokësore në funkcion të krijimit të mirëqenies ekonomike për banorët e vet, mund të jetë krenar për identitetin e vet nacional dhe për patriotizmin e vet shtetëror!

Çdo gjë tjetër është një populizëm shterpë i njerëzve të mjerë dhe të papërmbushur të cilët fajin për fatkeqësinë e tyre ekonomike e kërkojnë gjetkë dhe jo në veten dhe mesin e tyre!