Pendarovski: Ndarja e mandatit për përbërjen e qeverisë pas konsultimeve me partitë

Shpërndaje

Presidenti Stevo Pendarovski planifikon të mbajë konsultime me partitë politike, pas çka, në pajtim me dispozitat kushtetuese, do t’ia ndajë mandatin për formimin e Qeverisë së re partisë, respektivisht partive që do të sigurojnë shumicë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Shefi i shtetit, në deklaratë për TV 21 thotë se konsultimet me partitë do të mbahen pas konstituimit të Kuvendit.

Sipas Kushtetutës, Parlamenti duhet të konstituohet më së voni 20 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve. Presidenti i shtetit është i obliguar që në afat prej 10 ditëve nga konstituimi i Dhomës ligjvënëse, mandatin për përbërjen e Qeverisë t’ia besojë kandidatit të partisë, respektivisht partive që kanë shumicë në Kuvend. Mandatari, megjithatë, në afat prej 20 ditëve nga dita e besimit të mandatit, Kuvendit duhet t’ia parashtrojë programin edhe propozimin për përbërjen e Qeverisë.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që u mbajtën më 15 korrik, sipas rezultateve të para jozyrtare që i kumtoi KSHZ-ja, koalicioni “Mundemi”, i udhëhequr nga LSDM-ja, fitoi 46 deputetë, koalicioni i VMRO-DPMNE-së – 44, BDI – 15, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa – 12, E Majta dy dhe PDSH-ja një mandat.