Policia në Siniçan pas deklaratës së Xhemailit. Agim Nuhiu zbulon çka ka deklaruar kreu i Bogovinës në polici

Shpërndaje

Ngjarjet në Siniçan të Bogovinës, Ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, i quan orvatje të kryetarit të Komunës, Albon Xhemaili, për të manipuluar me qytetarët e Siniçanit, të involvojë policinë, e vetë të dalë i pafajshëm duke mbuluar paaftësinë për realizim të projekteve. Nuhiu duke folur për TV21 lexoi edhe pjesë nga deklarata e Kryetarit të Bogovinës, ku ai para policies ka deklaruar se do tu bëjë thirrje banorëve të Siniçanit që të heqin dorë nga ujësjellësi deri sa të bëhet kompletimi i dokumentacionit, e nga ana tjetër në Policinë e Tetovës ka deklaruar se mund të eskalojë gjendja e sigurisë, me çka e ka detyruar policinë të ndërmarrë aktivitete për sigurimin e rendit dhe qetësisë.

Agim Nuhiu: “Kryetari i Komunës ka shkuar dhe ka deklaruar në polici, e para që do tu bëjë thirrje qytetarëve të Siniçanit të heqin dorë nga ndërmarrja e këtyre veprimeve deri sa të bëjë kompletimin e dokumentacionit në njërën anë. Në anën tjetër vetë ka shkuar dhe ka deklaruar në autoritetet e policisë në Tetovë se gjendja e sigurisë mund të eskalojë”.

TV21: Këtu e kisha fjalën, me pak fjalë ka ngritur dyshime se mund të ketë…

Agim Nuhiu: “Jo që ka ngritur dyshime por ai edhe në një fare mënyre edhe e ka detyruar policinë që të ndërmarrë aktivitete në drejtim të krijimit të planeve operative. Dhe tani kur ne e kemi kërkesën e kryetarit të komunës, kur e kemi deklaratën se mund të kërcënohet siguria, jeta e qytetarëve, kur mund të vihet në pikëpyetje cenimi i rendit dhe sigurisë dhe nga ana tjetër i kemi edhe denoncimet me shkrim të qytetarëve përreth, atëherë policia është e detyruar të mbledh edhe të dhëna të tjera operative dhe nga këto të dhëna ne kemi ardhur në konstatim që të bëhet plan që policia të jetë aty për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike, neve na intereson të mos humbë jetën asnjë qytetar e të mos kërcënohet jeta e asnjë qytetari”.