Politika demografike e Maqedonisë është diskriminuese ndaj shqiptarëve

Shpërndaje

ANALIZË NË TRI VAZHDIME (II)

Rilexim për reflektim

Pasi ta lexoni këtë analizë do të ishte mirë t’i lexoni programet zgjedhore të partive politike të shqiptarëve, të cilat pretendojnë ta qeverisin shtetin gjatë viteve 2020-2024, që të bindeni se çfarë e ardhme i pret shqiptarët dhe të tjerët në këtë shtet.

Si përfundim logjik, parashtrohet pyetja:

Cila nga partitë politike të shqiptarëve në Maqedoninë Veriore deri më sot e ka përfshirë në programin e saj, e ka projektuar në strategjinë e veprimit, ka ndërmarrë ndonjë aktivitet, ka ngritur iniciativë ose iniciuar ndonjë projekt apo ligj, së paku për zbutjen e kësaj gjendje?!

Nëse përgjigjja është “Po”, cilat janë rezultatet?

Nëse përgjigjja është “Jo”, cilat janë arsyet?

(28 korrik 2020)

* * *

POLITIKA DEMOGRAFIKE E MAQEDONISË ËSHTË DISKRIMINUESE NDAJ SHQIPTARËVE

Abdulla Mehmeti

Republika e Maqedonisë, që nga krijimi i saj si republikë në kuadër të RSFJ-së (1944) edhe pas pavarësimit të saj si shtet (1991), zhvillon politikë diskriminuese ndaj shqiptarëve, si në aspektin politik, ekonomik, social, kulturor, po ashtu edhe në aspektin demografik, për të cilën flasin të dhënat në vazhdim:

1. Republika e Maqedonisë ka një sipërfaqe prej 25.713 km², në të cilin jetojnë afër 2.114.550 banorë (sipas regjistrimit të vitit 2009), ndërsa dendësia e popullsisë është 82.2 banorë /km².

2. Rajoni i Mariovës ka sipërfaqe prej 1.251 km², ndërsa gjithsej ka 839 banorë, ose afër 0.7 banorë/ km².

3. Rajoni i Pollogut ka sipërfaqe prej 2.416 km², ndërsa (sipas të dhënave nga viti 2012) gjithsej ka 317.003 banorë, ose afër 131.2 banorë/km².

Rajoni i Pollogut, në të cilin jetojnë pjesa dërmuese e popullsisë shqiptare në Maqedoni, sipas të dhënave nga viti 2012, ka një dendësi të popullsisë shumë më të madhe (131.2 banorë/km²) nga mesatarja e përgjithshme në nivel të shtetit (82.2 banorë/ km²). Nëse merret parasysh (ka dyshime të bazuara) se këto të dhëna nuk janë objektive, numri i shqiptarëve në këtë rajon është më i madh dhe dendësia e popullsisë është shumë më e madhe. Kjo gjendje mund të konstatohet sipas të dhënave të mëposhtme edhe në rajonet tjera të Maqedonisë.

Maqedonia është e ndarë në 8 (tetë) rajone, edhe atë:

– Rajoni i Shkupit,

– Rajoni i Pollogut,

– Rajoni verilindor,

– Rajoni i Vardarit,

– Rajoni lindor,

– Rajoni jugperëndimor,

– Rajoni juglindor dhe

– Rajoni i Pellagonisë.

Rajoni më i madh për nga sipërfaqja në Republikën e Maqedonisë është Rajoni i Pellagonisë, me sipërfaqe prej 4.717 km2, ose 18,9 % e territorit të përgjithshëm të Maqedonisë, por ka dendësi më të ulët të popullsisë, prej 50 banorë/km2, ndërsa rajoni më i vogël, Rajoni i Shkupit, me sipërfaqe prej 1.812 km2, ndërsa ka dendësi jashtëzakonisht të madhe të popullsisë, prej 319 banorë/km2 dhe përfshin më tepër se një të katërtën e popullsisë së përgjithshme në Maqedoni.

Në vazhdim e paraqesim pasqyrën e përgjithshme të këtyre rajoneve, me sipërfaqen e tyre, numrin e përgjithshëm të banorëve dhe dendësinë e popullsisë, sipas të dhënave nga viti 2012.

Edhe në rajonet tjera të vendit, siç është rasti me Rajonin e Mariovës (ku nuk jeton popullsi shqiptare ose shqiptarët janë në pakicë), kjo gjendje është krijuar në mënyrë artificiale, me strategji afatgjatë të politikës zyrtare të saj, nga pushteti komunist i ish RSM-së, e cila ka vazhduar edhe pas pavarësimit të Republikës së Maqedonisë (1991), përmes zhvendosjes së popullatës së këtyre rajoneve në qytetet ku shqiptarët kanë qenë në shumicë (sidomos në Shkup dhe Manastir) dhe kështu e ka ndryshuar gjendjen demografike të tyre në favor të popullatës sllave të Maqedonisë. Kjo politikë nuk është e panjohur në botë dhe ka emër të veçantë: gjenocid, sionizëm, aparteid, terrorizëm shtetëror, në dëm të një popullate tjetër (autoktone) dhe si e tillë, kjo politikë është e dënueshme me konventat ndërkombëtare.

Mjafton t’i hedhim një vështrim rritjes së numrit të banorëve në qytetin e Shkupit, kryeqyteti i vendit, nga viti 1948 dhe deri në vitin 2006, që të konstatojmë se ky nuk është shtim natyror, por është krijuar në mënyrë artificiale, dhe i njëjti nuk mund të shpjegohet me nevojën e ardhjes me shumicë të banorëve nga rajonet tjera të vendit, për kushte më të mira jetese, punësimi, shkollimi, perspektive më të madhe, por nga joshja me privilegje të veçanta nga ana e pushtetit, sigurimi i banesës ose shtëpisë, punës, biznesit, kredive me kushte të volitshme dhe privilegje të tjera, me të vetmin qëllim rritjen e numrit të popullatës sllave të Maqedonasë në dëm të shqiptarëve vendës.

Kur t’i shtohet kësaj edhe dëbimi i dhunshëm i një numri të madh të shqiptarëve për në Turqi, si dhe atdhesimi i planifikuar nga ky shtet i sllavomaqedonasve të Egjeut, të ardhur nga Polonia, Sllovakia, Çekia, Rumania dhe vendet tjera, ku kishin emigruar më herët nga Republika e Greqisë, mund të përfundojmë se numri i shqiptarëve në Shkup, Manastir dhe disa qytete të tjera është zvogëluar dukshëm, sidomos gjatë kohës së regjimit komunist, ndërsa rrudhja e shqiptarëve në pjesën perëndimore dhe veriperëndimore të Maqedonisë paraqet një realitet të ri, të krijuar në mënyrë të dhunshme, i cili një kohë të gjatë do të prodhojë disproporcion në zhvillimin ekonomik të vendit, tensione ndëretnike dhe konflikte.

Të gjitha këto konstatime, nuk duhet të lidhen me pretendime për dominim të një territori të caktuar, nga një etni apo një tjetër, por kryesisht duhet të trajtohet si problem me dimensione humane, për shtrirjen e barabartë të banorëve të një vendi, pa dallim të përkatësisë etnike, fetare apo çfarëdo përkatësie tjetër, me krijimin e kushteve të njëjta për jetë, zhvillim të natyrshëm dhe hapje të perspektivave të barabarta për të gjithë, me qëllim të zhvillimit ekonomik proporcional të rajoneve të një vendi.

Nëse marrim parasysh se politika demografike e një vendi e përcakton zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien sociale të banorëve të tij, konsiderojmë se prej kësaj politike që ka zhvilluar dhe zhvillon Republika e Maqedonisë, si dhe politikave të tjera diskriminuese, burojnë shumë padrejtësi ndaj shqiptarëve, të cilat janë të pariparueshme nëse nuk ndërmarrjen masa urgjente, sepse kjo politikë prodhon varfëri, pabarazi ekonomike dhe sociale, tensione, dhe si e tillë është shkaktar kryesor për varfërimin e vazhdueshëm të kësaj popullate, krijon mundësi për gjetjen e rrugëve të tjera alternative për mbijetesë dhe nxit shpërnguljen permanente të shqiptarëve jashtë vendit, sidomos në Evropën Perëndimore dhe SHBA.*

Si përfundim, parashtrohet pyetja:

– Cila nga partitë politike shqiptare në Maqedoni, deri më sot e ka përfshirë në programin e vet, ose e ka projektuar në strategjinë e saj të veprimit, ka ndërmarrë ndonjë aktivitet, ka ngritur iniciativë ose iniciuar projekt, së paku për zbutjen e kësaj gjendje?!

– Nëse përgjigja është PO, cilat janë rezultatet?

– Nëse përgjigja është JO, cilat janë arsyet?

* Pjesë nga një studim më i gjerë për diskriminimin e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë 1990-2014.

(16.VII.2014)