Prej nesër në funksion vauçerët për turizëm – qytetarët të interesuar për shfrytëzim, por edhe të frikësuar nga Kovid-19

Shpërndaje

Prej nesër deri më 15 dhjetor të këtij viti 117.122 qytetarë do të mund t’i shfrytëzojnë vauçerët për pushim në kapacitetet turistike vendore që i morën nga shteti.

Vauçerët me vlerë prej 6.000 denarë, u janë ndarë personave me të ardhura deri në maksimum 15.000 denarë në muaj. Ata mund të zgjedhin se ku do të qëndrojnë për pushime verore ose dimëore përmes Platformës www.domasiedoma.gov.mk dhe www.pushimenevend.gov.mk në të cilën janë publikuar hotelet në dispozicion, apartamentet private, autokampet, pushimoret, banjat, të përfshira me këtë masë qeveritare.

Vlerësimi i parë i kapaciteteve akomoduese është se njerëzit janë të interesuar për shfrytëzim të mbështetjes, por tani për tani ende frikësohen nga situata me KOVID-19. Agjencia për turizëm, megjithatë, pret këtë vit nga mysafirët vendor të realizohen më shumë se dy milion bujtje, shifër në të cilën pjesë të rëndësishme do të kenë pikërisht vauçerët.

“Ka interesim për kapacitetet tona, por njerëzit ende frikësohen të vijnë për shkak të situatës me KOVID-19. Megjithatë, paraqiten, pyesin. Për fundjavën e ardhshme kemi bërë 17 rezervime për në Banjishte, edhe pse ende nuk e dimë sa saktë prej tyre janë me vauçerin e vlefshëm. Në çdo rast, presim mysafirë, veçanërisht në periudhën që vijon. Konsiderojmë se numri dukshëm do të rritet dhe qytetarët do ta shfrytëzojnë të drejtën për pushime me mbështetjen të cilën e morën”, thonë nga “Banjat e Dibrës – Kosovrasti”.

Siç citohet në ofertën e tyre, secili që ka marrë vauçer për turizëm nga ana e Ministrisë së Ekonomisë do të mund të shfrytëzojë katër bujtje me mëngjes, drekë dhe darkë, kontroll mjekësor, si dhe shfrytëzim të SPA qendrës, plus terapi (me leje të mjekut).

Qytetarët shprehin kënaqësi nga mbështetja edhe pse disa prej tyre ende nuk janë të sigurt se kur do të shfrytëzohet vauçeri. Të tjerë tashmë mendojnë të rezervojnë, deri në fund trë korrikut ose gushtit.

Ndarja e vauçerëve është një nga masat qeveritare për mbështetje të turizmit vendor për shkak të koronakrizës, ndërsa doli nga bashkëpunimi i të gjithë faktorëve në këtë sektor.

“Ne kryesuam me Trupin koordinues në të cilin odat së bashku e sollën masën për turizmin vendor. Pres së bashku deri në fund të vitit të realizojmë më shumë se dy milion bujtje, në të cilat gjithsesi edhe vauçerët do të kenë pjesë të madhe. Kjo do të ndihmojë për zvogëlimin e trendit negativ në turizëm, dhe, nëse lejojnë kushtet, të kemi minus më të vogël nga pjesa tjetër e rajonit”, thotë drejtori i Agjencisë për mbështetje dhe promovim të turizmit, Lupço Janevski.

Prejse do të shfrytëzohen vauçerët nga ana e qytetarëve, Ministria e Ekonomisë do t’ua paguajë mjetet kapaciteteve turistike për shërbimet e dhëna në bazë të fakturës së dhënë mujore dhe raportit mujor për vauçerët e realizuar.

Platforma “Pushime në vend” zyrtarisht ishte promovuar para një muaji nga ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe ministrja e Financave Nina Angelovska. Paraprakisht ishte theksuar se të gjitha kapacitetet turistike të cilat duan të jenë pjesë e kësaj mase qeveritare dhe të gjenden në Platformën, duhet të regjistrohen.