Qeveria: Iniciativë për zgjidhje urgjente të problemit të furnizimit me ujë në Siniçan

Shpërndaje

Sot në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt takim ku morën pjesë Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Goran Mileski, Ministri i Brendshëm Agim Nuhiu, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Trajan Dimkovski, Kryetari i komunës së Bogovinës, Albon Xhemaili dhe përfaqësues të bashkësive lokale të fshatrave Siniçan dhe Urviç, ku u diskutuan problemet me ujësjellësin në këto dy fshatra.

Qëllimi i takimit, siç njofton Pres shërbimi qeveritar, ka qenë të bisedohet me të gjithë palët e interesuara për të kuptuar arsyet e situatës si dhe të shihet se çfarë ka bërë komuna deri më tani për furnizimin me ujë të pijshëm për popullatën lokale.

Ministri Agim Nuhiu ka thënë se prania e policisë në vendin ku filluan aktivitetet e punës në periudhën e kaluar ishte ekskluzivisht me kërkesë të banorëve të fshatrave përreth dhe vlerësimin e policisë sipas planit të përgatitur operacional, në mënyrë që të shmangen shqetësimet serioze të rendit publik dhe paqes.

“Pasi të gjithë palët e interesuara patën mundësinë për të shprehur mendimet e tyre për situatën në lidhje me ndërtimin e sistemit të furnizimit me ujë për banorët e Siniçanit, u konstatua që policia ishte mirëpritur nga të gjithë për të ruajtur rendin dhe paqen, ndërsa nga kryetari i komunës së Bogovinës u kërkua që të organizohet një takim i përbashkët me përfaqësuesit e të dy fshatrave nesër për të kapërcyer mosmarrëveshjet dhe për të gjetur një zgjidhje të përbashkët”, thuhet në kumtesë.

Nga ajo që u prezantua në takim, u konkludua se komuna ende nuk ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm të projektit për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit për fshatin Siniçan. Për të zgjidhur më shpejt problemin dhe për të siguruar ujë të pijshëm për banorët, zyrtarët e pranishëm qeveritarë shprehën gatishmërinë që Qeveria të mbështesë të gjithë palët e interesuara dhe të ndihmojë komunën në sigurimin e dokumentacionit teknik të nevojshëm, në mënyrë që të sigurojë një zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e furnizimit me ujë për popullsinë në këtë vendbanim.