Sela: Shumë informacione nga terreni nuk përputhen me rezultatet e publikuara të KSHZ-së

Shpërndaje

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela, shpreh shqetësimin dhe indinjatën e thellë dhe siç thotë ai, për lojërat që po bëhen me mosshpalljen e rezultateve të zgjedhjeve.

Në postimin e tij të fundit në Fejsbuk Sela falënderon aktivistët e Aleancës dhe Alternativës për mbështetjen e dhënë por thekson se vonesat e tepruara na ngjallin dyshime për manipulim të mundshëm të procesit zgjedhor dhe rezultatit final.

“Ka shumë informata nga terreni që nuk përputhen me rezultatet e nxjerra nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve deri në orët e para të mëngjesit të sotëm. Ka shumë rezultate të dyshimta në shumë vendvotime. Ka pasur tentime serioze, por edhe veprime që për qëllim kanë pasur tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve. Shtabi jonë i përbashkët ka denoncuar dhjetëra raste të tilla në organet përkatëse, por edhe në institucionet relevante ndërkombëtare”, shkruan Sela.

Njëherit ai apelon që sa më shpejtë të dilet para opinionit dhe të bëhen publike rezultatet e votës qytetare të shprehur më 13, 14 dhe 15 Korrik. Të mos krijohen vonesa të panevojshme. Të zbardhet çdo dyshim që ka të bëjë me manipulimin e vullnetit të qytetarëve. Institucionet të veprojnë. Gjithashtu, ju njoftojmë se Shtabi i përbashkët i Koalicionit “Tash është Koha”, pas zyrtarizimit të rezultatit, do të përgatisë edhe ankesat e nevojshme, bashkë me fakte dhe prova konkrete për shkelje në procesit zgjedhor.