Si deri tek formimi i shumicës?

Shpërndaje

Vazhdojnë kalkulimet për arritjen e numrit të nevojshëm për formim të shumicës parlamentare.

Po cilat janë matematikat më të mundshme për të arritur shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh për të formuar qeverinë.

Partitë nuk japin detaje, disa janë në pushime e disa të rezervuara për të folur për koalicionet, megjithatë tashmë përfliten disa skenarë.

Duke qenë se LSDM-ja gjatë gjithë fushatës thoshte se BDl duhet të shkojë në opozitë, bën të mendohet për opsionet që i kanë mbetur socialdemokratëve për të formuar shumicës pa BDl-në.

 “Mundemi” (46) + ASH-AAA (12) + PDSH (1) = 59

Nëse Zoran Zaev me çdo kusht e do Ali Ahmetin jashtë Qeverisë, atëherë opsion i mbetet koalicioni Aleanca për Shqiptarët-Alternativa me 12 deputetë dhe eventualisht 1 deputet i PDSH-së.

Këto numra janë të pamjaftueshëm për të formuar shumicën. Duke qenë se kryetari i “së Majtës” me dy deputetë, Dimitar Apasiev, është deklaruar kundër koalicionit me Zaevin, atëherë Zaevit rrugëzgjidhje e vetme për këtë opsion pa BDl-në, i mbetet të gjejë mbështetjen e ndonjë deputeti nga listat e tjera.

Kreu i VMRO-DPMNE tashmë publikisht ka pohuar se ka pasur përpjekje nga LSDM për të blerë deputetë të DPMNE-së.

Socialdemokratët nuk i komentojnë zërat se kreu i tyre Zaev është në kontakt me deputetët të partive të tjera. Gjithçka që thonë është se procesi i bisedimeve do të nisë pas festës së Ilindenit.

 “Mundemi” (46) + ASH-AAA (12) + VMRO-DPMNE (4/5) + PDSH (1) = 63

Gjasat janë që këto deputetë me të cilët mund të kontaktojë Zaevi, të jenë nga radhët e VMRO-DPMNE-së. E nëse kjo ndodhë, shanset për të arritur 61 votat janë më të mëdha.

Skenari i tjetër, më i përfoluri, është koalicioni mes Munedmi, BDl-së, e me shumë shanse që këtu të bashkohej edhe PDSH-ja me 1 deputetin e saj.

 “Mundemi” (46) + BDl (15) + PDSH (1) = 62

Megjithatë, kjo do të ishte një shumicë e brishtë, që do të kishte nevojë për më shumë imunitet.

Përforcim do të ishte edhe koalicioni ASH-Alternativa, por kjo sjell rrezikun e mospasjes së opozitës shqiptare.

 “Mundemi” (46) + BDl (15) + ASH-AAA (12) + PDSH (1) = 74

Nga ana tjetër nga Aleanca e Alternativa vazhdimisht ripërsërisin se bashkëpunimi me BDl-në është i vështirë, e thuajse i pamundur, ndonëse nuk e përjashtojnë, duke thënë se vendimin final e marrin organet partiake.

Po çfarë nëse Aleanca për Shqiptarët nuk pajtohet të jetë në të njëjtën qeveri ku është edhe BDl-ja, e partneri i tyre Alternativa nuk mendon njëjtë?

 “Mundemi” (46) + BDl (15) + Alternativa (4) + PDSH (1) = 66

Një skenar i këtillë do ta bënte shumicën me 66 deputetë, por nga Alternativa thonë se koalicioni nuk ndahet.

Sekretari gjeneral i Alternativës, Skender Rexhepi, i tha TV21 se “nuk mund të ndodhë ndarja e koalicionit shkaku i qeverisë”.

Bisedimet formale akoma nuk kanë nisur, megjithatë tashmë dihet se ka komunikime jozyrtare mes palëve. Pritet që zyrtarisht negociatat të nisin pas 2 gushtit, festës së Ilindenit.