Suspendohet nga puna këshilltari i ministrit të punëve të brendshme, Naqe Çulev

Shpërndaje

Zëvendës Ministrja e Punëve të Brendshme Slavjanka Petrovska, informoi se ka filluar procedurë kundër këshilltarit të ministrit, Naqe Çulev për incidentin me shefin e Njësisë së sigurisë në komunikacion në SPB Tetovë, ditën e zgjedhjeve, më 15 korrik.

Kundër këshilltarit shtetëror është iniciuar edhe procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore dhe ai do të suspendohet nga puna deri në përfundim të procedurës disiplinore në MPB.

Petrovska në profilin e saj në Fejbuk publikoi se Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë MPB-së i ka përfunduar kontrollet e nevojshme për ngjarjen në Tetovë e cila ndodhi më 15 korrik.

“Ekziston dyshim themelor që zyrtari policor, këshilltar shtetëror për punë policore dhe kriminalistike të ministrit të Punëve të Brendshme ka kryer vepër penale, dhunë nga neni 386 paragrafi 1 dhe ngacmimit gjatë kryerjes së shërbimit nga neni 143 i Kodit Penal, për të cilën arsye kundër tij në PTHP – Departamenti për ndjekje të autorëve të veprave penale të personave me autorizime policore, është ngritur padi penale”, shkruan në profilin e saj, Sllajanka Petrovska.