Vazhdojnë hetimet rreth sulmit mbi ueb faqen e KSHZ-së

Shpërndaje

Sot është dita e tretë që faqja e internetit e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nuk funksionin, e ku duhet të ndiqen rezultatet zgjedhore. Faqja e internetit rezultati.sec.mk i tregon vetëm të dhënat nga pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 20.30. Rezultatet zgjedhore e as mandatet e fituara të partive nuk janë të arritshme. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thotë se faqja e internetit nuk është funksionale pas sulmit kibernetik, dhe për shkak të hetimit që e kryen Ministria e Brendshme, nuk do të ngarkohen më informacione lidhur me zgjedhjet.

“Për shkak të hetimit të Ministrisë së Brendshme, ne nuk do të azhurnojmë këtë faqe, por do t’i publikojmë të dhënat e zgjedhjeve në tabelë,” tha kryetari i KSHZ-së, Derkovski.

Nga MPB zyrtarisht thonë se në këtë moment ka hetime por nuk munden të konfirmojnë nëse ka pasur sulm nga hakerë, kush qëndron pas kësaj, nëse sulmuesit janë nga Maqedonia ose nga jashtë. Sektori për krim kompjuterik në MPB tashmë i merr të dhënat nga KSHZ-ja.

Sektori për krim kompjuterik dhe ekspertizë në MPB po i ndërmerr të gjitha masat dhe aktivitetet për zbardhjen e këtij rasti”-tha Toni Angellovski, zëdhënës i MPB-së.

Softuerin e faqes së KSHZ-së e mirëmban kompania DUNA, ndërsa kontrata me këtë kompani është bërë në katër sy. Derkovski duke u thirrur në ligjin për prokurime publike, thotë se mendimin negativ për marrëveshjen që e ka dhënë Byroja për prokurime publike një muaj më parë, nuk ka qenë obliguese për ta. Nga ana tjetër, Derkovski thotë se DUNA ka ofruar çmim më të lirë- 900.000 denarë. Me kompaninë DUNA ka pasur edhe më parë bisedime. Këtë e konfirmojnë nga vetë kompania, prej ku thonë se aplikacionin e kanë përgatitur më shumë se gjysmë viti me kërkesë të KSHZ-së. Nga Prokuroria për Alsat thonë se i ndjekin ngjarjet në KSHZ, por për momentin nuk janë përfshirë në hetim./alsat/