Ziberi premton me ‘kuletën’ e shprazët më shumë para për Komunat!

Shpërndaje

Kandidati për Kryeministër të parë shqiptar Naser Ziberi sot në Komunën e Tetovës realizoi takim me kryetaren e Komunës Teuta Arifi, ku morën pjesë edhe kryetarë të komunave të tjera siç janë Hekuran Duka, kryetar i Komunës së Dibrës, Visar Ganiu, kryetar i Komunës së Çairit dhe Erkan Arifi, kryetar i Komunës së Likovës.

Në takim u diskutua rreth angazhimeve të tij si kryeministër për një zhvillim më të shpejtë të rajoneve të cilat janë më së shumti të prekura nga shpërngulja e të rinjve.

“Më të prekura nga migracioni janë rajonet. Të rinjtë shpërngulen në Shkup dhe jashtë vendit, duke braktisur rajonet për shkak të mungesës së mundësive dhe mungesës së infrastrukturës. Këtu duhet të veprojmë – dhe jo vetëm në nivel të centralizuar, por së bashku me komunat”, theksoi Ziberi.

Gjatë vizitës Ziberi me Arifin, Dukën, Ganiun dhe Erkan Arifin, nënshkruan një “Memorandum për ardhmërinë” me të cilin merren përgjegjësi për trajtimin e decentralizimit fiskal për zhvillim të balancuar rajonal, për t’u siguruar që komunat do të kenë në dispozicion buxhet më të madh për projekte të rëndësishme infrastrukturore.

“Memorandumi parasheh rritje të të ardhurave nga taksat për komunat: TVSH nga 4.5% në 9%, dhe të taksave personale nga 3% në 9%; rishikim të metodologjisë për shpërndarjen e taksave dhe subvencioneve për komunat; rrugë lokale (rindërtimi, ndërtimi, dhe rehabilitimi i rrugëve në rajonet në vend 270 km rrugë lokale me vlerë prej 70 milion euro); projekte për efikasitet të energjisë për komunat në vlerë prej 25 milion euro të financuar përmes bankës botërore” – sqaroi Ziberi.

Ai u bërë thirrje të gjithë kryetarëve të komunave në Maqedoninë e Veriut ti bashkëngjiten kësaj nisme me qëllim të përmirësimit të shpejtë të infrastrukturës dhe cilësisë së jetës së qytetarëve në rajone.

“Pjesa e dytë e Memorandumit për Ardhmërinë do të krijojë shanse të reja për të rinjtë. Një edukim i duhur profesional është thelbësor për karrierën e të rinjve tanë. Kjo është ajo që ne, si shtet, duhet ta sigurojmë. Është detyra jonë. Prandaj, së bashku me komunat, do të ndërtojmë shkolla profesionale në çdo komunë, ku të rinjtë do të aftësohen për profesionet e tyre të ardhshme. Komunat do të sigurojnë infrastrukturën, të mundësuar përmes decentralizimit fiskal, dhe shteti do të marrë përsipër të gjitha kostot operative – shtoi Ziberi.

Potencoi se ky Memorandum për Ardhmërinë është vetëm fillimi i një bashkëpunimi të zgjeruar të pushtetit qendror me atë lokal.

Siç duket kandidati për kryeministër harron se s’ka para dhe mundohet të premtojë më shumë para për komunat!