​Qytetarët e Kosovës drejt bregdetit shqiptar, hynë mbi 8 mijë makina

Shpërndaje

Edhe gushti ka nisur me një fluks të lartë në pikën kufitare të Morinit, ndërkohë që në korrik, mesatarja ditore e kalimeve në kufi drejt Shqipërisë dhe anasjelltas i kaloi mbi 10 mijë.

Por, ky muaj pritet të sjellë një mesatare ditore më të madhe për shkak se lëvizjet e kosovarëve do të jenë më të mëdha.

Ky fenomen shihet si shqetësim nga autoritetet shëndetësore të Kosovës.

Fadil Kryeziu, Drejtor Rajonal i Shëndetit Publik në Prizren, thotë se qytetarët e Kosovës që po lëvizin gjatë kësaj periudhe në dy anët e kufirit shihen si bartës të mundshëm të COVID-19, si për Kosovën, edhe për Shqipërinë.

Muaji korrik shënoi numrin me të lartë të të prekurve dhe viktimave nga koronavirusi për të dyja vendet. Pavarësisht këtij fakti, qytetarët e Kosovës nuk e kanë frenuar lëvizjen për pushime drejt Shqipërisë.

Edhe dy ditët e para të këtij muaji kanë shënuar një fluks të jashtëzakonshëm të hyrjeve në Shqipëri të qytetarëve kosovarë me destinacion bregdetin shqiptar. Shumë prej tyre po vijnë të organizuar edhe në autobusë.

Mësohet se këtë fundjavë kanë hyrë rreth 50 mijë pushues kosovarë.

Fluks ka patur edhe në dy ditët e fundit të korrikut që përkoi me festën e Kurban Bajramit.

Bazuar në të dhënat e Policisë së Kosovës, mbi 12 mijë kosovarë kanë hyrë në Shqipëri, në fund të korrikut.

Për kufirin me Shqipërinë, Ministria e Shëndetësisë e Kosovës rishikoi vendimin dhe përjashtoi qytetarët e dy vendeve nga detyrimi për të qenë të pajisur me testet negative të koronavirusit