Afati për qeverinë e re skadon më dy shtator

Shpërndaje

Afati për shtrimin e propozimit për zgjedhjen e Qeverisë së re skadon më 2 shtator. Pasi të premten u zgjodh Talat Xhaferi kryetar i Kuvendit, tani pritet ditëve në vijim të caktohet seancë për zgjedhjen e Qeverisë së re.

Në Qeverinë e re, siç paralajmëroi mandatari Zoran Zaev, në vend 26, sikurse deri më tani, do të ketë 19 ministra apo shtatë më pak.

Propozimet për ministrat e rinj janë publikuar të mërkurën pasi paraprakisht ishte zyrtarizuar koalicioni midis LSDM-së dhe BDlsë.

Nga radhët e LSDM-së në përbërje të Qeverisë së re hyjnë Oliver Spasovski i cili do ta drejtojë Ministrinë e Punëve të Brendshme, Radmilla Shekerinska e cila do të vazhdojë ta udhëheqë Ministrinë e Mbrojtjes, ndërsa propozimi për ministër të ri të Drejtësisë është Bojan Mariçiq.

BDl do t’i drejtojë Ministrinë e Financave, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e Mjedisit Jetësor. Do të ketë edhe zëvendëskryeministër dhe ministër për sistem politik.

Propozimet për ministra të rinj të mërkurën u miratuan nga organet më të larta të dy partive.

Mandatari Zaev nga ekipi qeveritar pret punë, llogaridhënie dhe përgjegjësi.

“Do të respektoja punë edhe mbi tetë orë. Pres fokusim të plotë pasi na pret një periudhë e papërsëritshme. Puna e dytë është llogaridhënia dhe përgjegjësia, deklaroi Zaev të mërkurën pas seancës së Këshillit Qendror të partisë. Paralajmëroi edhe përgjegjësi për secilin i cili do të gabojë para ligjit pa dallim nëse është ministër ose jo. Pres prej kuadrove të ndërmarrin përgjegjësi gjithmonë. Ky është mesazhi”, tha Zaev.