Avokati i Popullit: Mësimi online ka lënë shumë nxënës jashtë procesit mësimor

Shpërndaje

Mbi 80 për qind e nxënësve të shkollave fillore nuk kanë mundur të ndjekin mësimin online nga muaji mars deri në fund të vitit shkollor. Tek shkollat e mesme 68 për qind e nxënësve nuk kanë ndjekur mësimin online. Të dhënat e raportit të përgatitur nga zyra e Avokatit të Popullit tregojnë se 78 për qind e shkollave fillore kanë thënë se nuk kanë mundësi teknike për realizimin e mësimit përmes internetit, kurse tek shkollat e mesme kjo përqindje është 61. Vetëm 11 për qind e mësuesve të shkollave fillore kanë njohuri informatike-, ndërsa 58 përqind kanë vetëm njohuri të pjesshme.

Prindërit kanë deklaruar se gjëja negative e mësimit online ka qenë ngarkesë për prindërit dhe se nuk e ka të njëjtin efekt sikur mësimi klasik, dhe si pozitive ishin përgjigjet e disa prindërve të cilët thonë se ky mësim ka rezultuar më interesant sidomos për ata nxënës që ishin pasiv në mësimet e rregullta dhe se me më shumë përpjekje nga të gjitha palët e përfshira, mësimi është realizuar në mënyrë efikase.

Në lidhje me efektet psikologjike që janë paraqitur tek fëmijët si rezultat i izolimit dhe kushteve të ndryshuara të jetesës, prindërit kanë vënë re tek fëmijët disa reagime negative psikologjike si: konfuzion, stres, ankth, frikë, nervozizëm, mosbindje dhe agresion të butë.

Avokati i popullit në analizë konkludon se ndikimi i pandemisë Covid-19 në arsim në përgjithësi do të ketë pasoja afatgjata për të gjithë fëmijët, përfshirë fëmijët me aftësi të kufizuara, dhe për këtë arsye kërkon Ministria e Arsimit dhe Shkencës të udhëhiqet nga interesat më të mira për fëmijët.

Nga Byroja për zhvillimin e arsimit kërkohet t’i rishikojë dhe shkurtojë planet dhe programet arsimore, të sigurojnë kushte për digjitalizimin e mësimdhënies që do të jetë në dispozicion për çdo nxënës dhe të sigurohet pajisja e nevojshme IT dhe internet stabil nëpër shkolla. Raporti është dërguar në Ministrinë e Arsimit ndërsa. Anketa është realizuar nga qershori deri në gusht të vitit 2020, përmes një pyetësori që është dorëzuar në gjithsej 72 shkolla 41 fillore dhe 31 të mesme./Alsat