Dokumentar interesant nga viti 1973 për punëtorët shqiptarë në Zvicër

Shpërndaje

Një video interesante nga arkivi i transmetuesit publik të Zvicrës, SRF i kushtohet punëtorëve shqiptarë nga Kosova, të cilët punonin në Zvicër në vitet `70 të shekullit të kaluar.

Protagonist i këtij dokumentari nga viti 1973 është Isak Bytyqi, i lindur në vitin 1923, punëtor ndërtimi, shkruan albinfo.ch. Edhe dokumentari fillon me prezantimin e tij: “Unë, Isak Bytyqi…”.

Ai rrëfen për punën në Zvicër, për gjendjen e tij familjare, kushtet që e kanë shtyrë të shkonte për të punuar në Zvicër, etj.

Bytyqi thotë se edhe në vendlindje ka punuar në ndërtim por në Zvicër mund të fitohet më shumë.

Me paratë e fituara nga puna në ndërtim, ai mban familjen në Kosovë, shkollon familjen.

Në Bruttisellen (ZH) ku ai punonte, jetonte në baraka të punëtorëve.

“Gjermanishten nuk e kam mësuar. Këtu, në barakë pothuaj të gjithë flasim shqip”, thotë Isaku.

Kamerat e SRF kanë marrë kuadro nga jeta modeste në barakat e punëtorëve, nga puna në ndërtim e Isakut dhe të tjerëve.

Isak Bytyqi planifikonte që të punonte edhe 2-3 vite, sa të ndërtonte një shtëpi në vendlindje dhe të blinte dele e gjedhe. Pastaj do të kthehej…

Nëse është kthyer vërtet atëherë dhe i ka realizuar planet e atëhershme, nuk mund ta dimë.

Kujtojmë se bashkëbisedimi me protagonistin Bytyqi ishte realizuar në gjuhën serbe.