Konjufca: Jemi kundër Zajednicës dhe kundër Shkëmbimit

Shpërndaje

Lëvizja Vetëvendosje po konsideron se nuk duhet të vazhdohet me fazën e fundit të dialogut përderisa Kosova ka një qeveri pa legjitimitet, e një kryeministër që e ofendojnë me termin kukull.

Glauk Konjufca i LVV-së tha se në 5-vjetorin e nënshkrimit të marrëveshejs së “Zajednicës”, e cila ishte hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese, është më aktuale se kurrë për shkak të deklaratave se është faza finale e dialogut.

“Në vend që të shpallej e vdekur ‘Zajednica’ pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, më duket se është më aktuale se kurrë tash kur po flitet për fazën e fundit të dialogut. Duhet të ngrisim këtë çështje pasi është LVV ajo që i kundërshton të gjitha, LVV mendon se edhe ‘Zajednica’ edhe shkëmbimi i territoreve do të duhej të kundërshtoheshin. Po mendojmë kështu pasi të dyja janë sinonime të ndarjes së Kosovës. ‘Zajednica’ është një lloj bosnjëzimi i Kosovës”, tha ai.

Ai tha se Hoti nuk ka as ekip e as platformë të votuar në Kuvendin e Kosovës.

“Se pari faza finale e dialogut nuk është fare mirë të ndodh në këto kushte, me një qeveri pa legjitimitet. Me një kryeministër kukull siç është Avdullah Hoti nuk duhet fare të kemi negociata dhe me atë që po e shohim me metodën e anashkalimit total të Kuvendit. Nuk ka as ekip të votuar në Kuvendin e Kosovës. Pra kemi të bëjmë me një qeveri që nuk e ka as minimumin e kordinimit dhe unitetin e brendshëm. Kemi një situatë ku kryeministri dhe ministrja e Jashtme janë të çakorduar”, tha ai.

Konjufca tha se pala kosovare do që të shkojë në në Uashington pa asnjë dokument që e kanë legjitimuar të zgjedhurit e popullit.

“Këta definitivisht janë politikanë të papërgjegjshëm dhe nëse vazhdojnë kështu vetëm keq mund t’i bëjnë Kosovës. Krejt ku e kanë mendjen këta është se kush po bëhet president i vendit”, tha ai.