Konjufca: Vendi po shkon drejt zgjedhjeve, populli e di kë ta votojë

Shpërndaje

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca ka përsëritur qëndrimin e kësaj partie për shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja të parakohshme.

Ai në emisionin DebatPlus në TV Dukagjini ka shprehur bindjen se rezultati i zgjedhjeve të reja do të ishte më i ndryshëm sesa i atyre të 6 tetorit 2019.

Sipas tij, një gjë e tillë do të ndodhë pasi qytetarët e vendit i njohin të gjitha partitë dhe e dinë se për cilën duhet të votojnë, dhe se kush duhet të udhëheqë vendin në qeverisjen e re.

Megjithatë, Konjufca nuk ka treguar nëse Vetëvendosje beson se do të mund të fitojë 51 për qind të votave, të cilat do t’i siguronin mundësinë asaj si parti e vetme që të formojë qeverinë e re.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, Vetëvendosje doli e para, por pas hyrjes në qeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, koalicioni u prish në mesin e pandemisë me COVID-19 për shkak të përçarjes së dy partive, e cila çoi në formimin e Qeverisë së re të udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së.