Kufiri detar, Rama: Greqia nuk ka pretendime territoriale ndaj Shqipërisë

Shpërndaje

Kryeminstri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me rifilimin e negociatave për kufijtë detarë me Greqinë.

Përmes një postimi në Facebok, Rama shkruan se ende nuk ka folur me kryeminstrin grek Kiriakos Mitstakis për një marrëveshje të mundshme.

Rama tha se nuk ka një marrëveshje të fshehtë ndërmjet dy shteteve, sepse nuk do kishte vlerë.

Ai u shreh se ne nuk kanë pretendime territoriale ndaj Greqisë dhe Greqia nuk ka të tilla ndaj tyre. I pari i ekzekutivit në Shqipëri deklaroi se nëse arrihet një marrëveshje, do të miratohet nga presidenti dhe parlamenti.

Postimi i Edi Ramës në Facebook:

NJE KOMERDARE LOGJIKE PËR ATA QË DUAN TË DALIN NGA LOJA E DETIT, DY FJALË PËR GREQINË DHE NJË VATH NË VESH NGA UNË PËR JU

Padija nuk është faj, askush nuk i di të gjitha dhe sa të rrosh do mësosh, thotë populli. Faj është ta ushqesh padijen, ta shfrytëzosh padijen, ta ushtrosh padijen si armë ndaj tjetrit.

Shoh që vazhdojnë disa të shajnë e të mallkojnë, lidhur me “shitjen” e detit dhe meazallah se hanë pykë, kur u thua nuk ekziston as shitja, as falja, as vetë marrëveshja për detin! Disa prej tyre janë të verbër e të shurdhët me sytë e veshët top, por mendja e mbledhur top me litarët e opozitës sonë në krizë për mend, i bën të pakurueshëm. Disa të tjerë janë sinqerisht të shqetësuar për këtë çështje, megjithëse e kemi sqaruar që nuk ka asnjë arsye për shqetësim. Të parëve s’kemi ç’u bëjmë, nuk duan të dëgjojnë, të lexojnë, të kuptojnë. Të dytëve po u ridrejtohem, me shpresën që do mund të dalin nga dallga artificiale e kësaj loje të ulët politike!

Për kufijtë mes dy shteteve s’mund të ekzistojë asnjë marrëveshje e fshehtë. Nuk bëhen marrëveshje të fshehta për këtë punë, sepse s’kanë asnjë vlerë mbi detin e mbi tokën për sa kohë janë të fshehta. Bëhen marrëveshje të negociuara me vite, të cilat emrin marrëveshje e marrin kur bëhen publike dhe vlerën si marrëveshje e marrin vetëm kur kalojnë provën e institucioneve kushtetuese të shtetit. Prandaj marrëveshjet nuk merren vesh me telefonin e prishur të thashethemit të radhës, që shkumëzon në gojën e politikanëve pa atdhe apo në detin e internetit pa kufij, po vetëm kur shihen me sy, me lexim, bashkë me firmat e me vulat e tyre!

A keni pare ndonje dokument te firmosur e te vulosur per kete detin që paskam dhënë, shitur a falur une? Jo nuk keni pare, sepse nuk ka dhe s’ka se si të ketë një të tillë. Se po të kishte do të dilte, po s’mund të dalë gjëkundi asnjë marrëveshje e tillë me firma e me vula, që unë nuk e di apo që unë mund ta mbështes, nëse cënon interesin kombëtar të Shqipërisë! Kush e luan me ju këtë lojë do t’ju bëjë për budallenj, tallet paturpësisht me ndjenjat tuaja për të përfituar politikisht prej çoroditjes që synon t’ju shkaktojë, duke ju prekur ndjenjat.

Sa për kujtesë isha unë në krye të opozitës, kur çova në Gjykatën Kushtetuese, një marrëveshje të mëparshme, për kufijtë detarë me Greqinë, të firmosur e të vulosur nga Lulëzim Basha, me bekimin e me mbrojtjen publike të Sali Berishës e të Ilir Metës. Sipas meje ajo marrëveshje cënonte interesin kombëtar. Po jo se ashtu ma thoshte mendja mua, por sepse kështu e gjykoi një ushtarak patriot si Myslim Pasha, i cili e ngriti publikisht e profesionalisht shqetësimin mbi çfarë kishte firmosur i njëjti Lulëzim që sot merret me thashetheme të ulëta për të kapur ndonjë sardele më shumë për tiganin e ndryshkur të opozitës.

Dhe unë, që isha krejt i paditur për të Drejtën e Detit, mblodha ekspertët, dëgjova sa munda, hapa librat, mësova sa munda, e së bashku me të tjerë vendosa ankimimin e asaj marrëveshjeje në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata e rrëzoi marrëveshjen e Lulëzimit, Saliut dhe Ilirit, me rezultatin kuptimplotë 9 me 0. Pikërisht sepse cënonte interesin kombëtar. Por ama ne çuam në gjykatë një dokument shtetëror, jo një thashethem digjital për tradhëti kombëtare dhe nuk hapëm një gjyq publik llogjesh nacional-folklorike rrugëve, po një gjyq serioz në nivelin më të lartë të pushtetit gjyqësor.

Sot po këta që e bënë atë marrëveshje antikombëtare dhe e futën edhe detin në çorbën e Shqipërisë që qeverisën, prej padijes së tyre të dhimbshme a prej shpërfilljes sportive të interesit kombëtar ose të dyjave bashkë, kanë kapur kallamat me dorë e kanë dalë për gjahun politik të radhës.

Për të mbrojtur detin nga unë!

O Zot!

Duhet të jesh peshk i trullosur komplet që ta hash karemin se Lulëzim Basha, Ilir Meta dhe Sali Berisha (shyqyr Monika ia ka lënë Peço peshkatarit grepin këtë herë, se është e zënë me skuqje karkalecash me muzikë Desperado:-), po mbrojnë sot nga unë detin që e bënë kos e dhallë, sa herë zunë dybekun me dorë. Megjithatë, fatkeqësisht, u ka zënë grepi gjithnjë peshq të trullosur dhe s’kanë faj që vazhdojnë ta hedhin përditë në detin e muhabetit publik, karemin e politikës së tyre pa din e as iman.

Njësoj si më parë, kur ministri i jashtëm grek foli andej në një televizion për ushtrimin e të drejtës së Greqisë për t’u shtrirë në miljet e famshme që Konventa Ndërkombëtare e të Drejtës së Detit ia njeh çdo shteti me dalje në det dhe këtu plasi peshku me dinamitin e luftës politike, edhe sot përsëritet e njëjta poshtërsi ndaj publikut shqiptar pasi kryeministri i Greqisë thotë të njëjtën gjë në parlamentin grek, pas firmosjes së marrëveshjeve detare të shtetit të tij me Italinë dhe Egjiptin.