Kur pushteti dhe politika tallen me shqiptarët

Shpërndaje

BARAZIA PREJ 20% QË UA KA SJELLË SHQIPTARËVE MARRËVESHJA E OHRIT

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Shqiptarët në Maqedoninë Veriore duhet të çlirohen nga kompleksi i inferioritetit, nga mashtrimet me përqindje sipas Marrëveshjes së Ohrit dhe nga politika diskriminuese e pushtetit ndaj tyre dhe të tjerëve.

Sipas këtyre të dhënave për fëmijët e sapolindur sipas përkatësisë kombëtare (edhe sipas numrit të çifteve të kurorëzuar dhe të nxënësve në shkollat fillore), kjo është përqindja e banorëve dhe e votuesve sipas përkatësisë kombëtare të tyre. Prandaj, kështu duhet të jetë afërsisht edhe përfshirja e tyre në pushtet, në të gjitha nivelet, sidomos në Parlament dhe në Qeveri, për sigurimin e barazisë së plotë të qytetarëve, pa dallim të përkatësisë kombëtare, fetare, gjuhësore apo çfarëdo përkatësie tjetër.

Çfarë nënkupton ky kompleks për dominim i një populli mbi të tjerët në Maqedoninë Veriore? Ky shtet, si çdo shtet demokratik dhe ligjor, duhet të garantojë barazi për të gjithë qytetarët e tij, meqë të gjithë e kanë atdhe të tyre, punojnë dhe kontribuojnë në mënyrë të barabartë, e duan vendin e tyre dhe janë të gatshëm ta mbrojnë nga çdo rrezik.

Politika dhe pushteti duhet urgjentisht ta heqin cilësimin poshtërues për shqiptarët, si zëvendësim i përkatësisë së tyre kombëtare dhe gjuhësore me përqindje, dhe ta eliminojnë diskriminimit ndaj të tjerëve, me përfshirjen e pabarabartë dhe dominimin e pjesëtarëve të një populli ndaj të tjerëve, në këtë përqindje sa diskriminohen shqiptarët në këtë shtet. Më saktë, përqindja prej 70% e popullit maqedonas duhet të jetë afër 50% në organet e pushtetit, sidomos në Parlament, ndërsa pjesëtarët e popullit shqiptar dhe të bashkësive të tjera etnike, sipas përqindje së tyre, duhet të përfshihen për aq sa janë, që së bashku janë afërsisht 50%.

Përderisa pushteti hesht para kësaj gjendje të shtrembëruar, ndërsa faktori politik shqiptar vazhdon të vendnumërojë sipas Marrëveshjes kornizë të Ohrit (të tejkaluar para 14 vjetësh), disa medie dhe analistë joshqiptarë ende djersiten për ta bindur opinionin e brendshëm dhe të jashtëm se shqiptarët gëzojnë më tepër të drejta se sa u takojnë në këtë shtet, e që, sipas tyre nuk përbëjnë më tepër se 13 deri 17% në numrin e përgjithshëm të banorëve në Maqedoninë Veriore. Sipas kësaj edhe duhet t’u merren të drejtat e “tepërta” që u janë “dhënë” atyre sipas marrëveshjes së Ohrit, e cila këto të drejta i përcakton (kufizon) me përqindje (20%), jo sipas të drejtave të ligjshme që duhet t’i gëzojnë shqiptarët në shtetin e tyre të përbashkët të Maqedonisë Veriore.

Rezultati i faktorit politik shqiptar në zgjedhjet e fundit parlamentare të 15 korrikut 2020, që ka nxitur eufori te disa individë, politikanë, pushtetarë, medie, qarqe politike dhe intelektuale, si në Maqedoninë Veriore edhe në tërë hapësirën etnike shqiptare dhe në Mërgatë, nuk është një arritje për t’u lakmuar dhe lavdëruar, edhe pse është rezultati më i mirë i partive politike të shqiptarëve deri më sot, meqë 32 mandatet e shqiptarëve në Parlamantin e Maqedonisë Veriore, në numrin e përgjithshëm prej 120 deputetëve sa i ka gjithsej ky Parlament, përbën 26,6%, jo sa duhet të jetë realisht, sipas numrit të përgjithshëm të banorëve dhe të votuesve shqiptarë në këtë shtet.

Poshtëshënim: Të dhënat e mëposhtme janë marrë nga publikimet zyrtare të Entit shtetëror të statistikës në Shkup, të cilat duhet të jenë më reale në të ardhmen, duke marrë parasysh shtrembërimin dhe falsifikimin e tyre nga pushtetet e mëparshëm.

(23.VIII.2020)