Lukashenko shfaqet me kallashnikov dhe anti-plumb pranë ushtrisë (Video)

Shpërndaje

Aleksandër Lukashenko duket se ka vendosur ta ruajë pushtetin e tij me armë në dorë.

Në vigjilie të protestave masive në kryeqytetin e Minskut, Presidenti i Bjellorusisë, ka urdhëruar Ministrinë e Mbrojtjes dhe forcat ushtarake që të ndërmarrin “masa më të rrepta” për të mbrojtur kufijtë e vendit, përballë, asaj që ai e quajti plan të mbështetur nga jashtë për një “revolucion” në vendin e ish-Bashkimit Sovjetik.

Lukashenko është shfaqur sot në një terren ushtarak dhe në pallatin e tij në Minsk. Pamje të këtyre momenteve janë shpërndarë më mediat sociale, ku 65-vjeçari shfaqet me veshje të zezë para-miliare, me anti plumb dhe me një kallashnikov. Ndonëse ai është i rrethuar nga rojet e tij dhe nga forca ushtarake dhe snajperë në tarracat e godinave, Lukashenko ka dashur të transmetojë imazhin e komandantit të fortë megjithëse nuk dihet se kundër kujt po përpiqet të dalë me armë presidenti bjellorus.

Protestuesit në Minsk po bëjnë thirrje që ai të largohet nga pushteti, dy javë pasi shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale.

Lukashenko pretendoi se forcat e NATO-s në Poloni dhe Lituani po “lëvizin seriozisht” pranë kufijve të Bjellorusisë. Ai i tha një njësie ushtarake në Hrodna se ushtria e Bjellorusisë duhet të “mbrojë integritetin territorial të vendit tonë”, duke shtuar se “mbështetja e ushtarakëve është e dukshme”.

NATO tha se pretendimet ishin “të pabaza”.

Presidenti i Bjellorusisë që është në pushtet prej vitit 1994, tha se zgjedhjet e 9 gushtit që e nxorrën atë fitues të 80.1% të votave, ishin të rregullta. Por vendi ka hyrë në kaos pasi mijëra qytetarë nuk i kanë pranuar rezultatet duke akuzuar pushtetin se ka manipuluar zgjedhjet./ Opinion.al