Maqedoni: Mund të rikthehet ora policore?!

Shpërndaje

Mbrëmë i ftuar në Tv Klan Maqedoni, kreu i Institutit të Shëndetit Publik në Maqedoninë e Veriut, Shaban Memeti, ka tërhequr vëmendjen se në rast të rritjes së skajshme të rasteve të të prekurve nga virusi Covid-19 mund të rikthehen masat e jashtëzakonshme për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Memeti gjithashtu garantoi se vendi ka kapacitete për t’u përballur me sëmundjen edhe në stinën e vjeshtës kur pritet një përzierje e gripit me virusin vdekjeprurës.

Drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Shaban Memeti, thotë se përkundër kurbës së lartë të sëmundjes Covid-19, institucionet shëndetësore në Maqedoninë e Veriut kanë kapacitete për t’u përballur me sukses me virusin vdekjeprurës.

Aktualisht nga detektimi i parë i rastit me Covid-19 në Republikën e Maqedonisë së Veriut nga 26 Shkurti i këti viti kemi të detektuar 10.891 raste pozitive Covid-19, të vdekur kemi 493, raste aktive 3.700 dhe raste të shëruara nga Covid-19 kemi 6.698. Sa i takon tamponëve apo testeve deri tani janë bërë mbi 100 mijë teste në nivel shteti.