Mbërrin në Uashington delegacioni i kryesuar nga Avdullah Hoti (Foto)

Shpërndaje

Delegacioni i Kosovës i kryesuar nga Kryeministri Avdullah Hoti ka arritur në Uashington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Lajmin e ka bërë të ditur gazetari Adriatik Kelmendi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, njofton Klan Kosova.

Pala kosovare dhe ajo serbe do të takohen në Shtëpinë e Bardhë me 4 shtator, ku pritet të diskutohet për tema që kanë të bëjnë me normalizimin e mardhënjeve në mes dy vendeve.

Kryeministri Avdullah Hoti do të shoqërohet nga zëvendëskryeministrat Driton Selmanaj dhe Albulena Balaj, ministrat Selim Selimi, Meliza Haradinaj dhe Arban Abrashi dhe shefja e kabinetit Ardita Dushi.

Kujtojmë se ky është takimi i dytë i thirrur nga Uashingtoni. Një takim i planifikuar më 27 qershor, ishte anuluar pak ditë para mbajtjes, meqë Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë kishte deklaruar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ishte i ftuar në takimin e Uashingtonit.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rinisi në Bruksel më 16 korrik, 20 muaj pasi ishte ndërprerë.