Nëse vazhdojnë mosmarrëveshjet në BDl, Ali Ahmeti do të heq dorë nga pjesëmarrja në Qeveri?!

Shpërndaje

Në BDl po zhvillohen debate rreth propozimit të Ali Ahmetit për ministra në qeverinë “Zaev 2”. Vendimet e kryetarit te partisë për ministra, kanë ngjallur debat brendapartiak. Përveç debatit brendapartiak, në takime në mes funksionarëve të lartë të integristëve janë kyçur edhe politikanë, afaristë me ndikim nga vendi dhe Kosova e Shqipëria.

Jozyrtarisht, gjithçka ka filluar me propozimin e Bujar Osmanit për mandat të ri në Qeveri. Ky propozimin ka ngjallur reagim të ashpër e të papranueshëm në kryesinë e degës së Çairit.

Burimet e TV21 nga dega Çair thonë se kane qenë të përgatitur se për ministër do të propozohet Artan Grubi, dhe edhe pse ky propozim nuk ka qene i deleguar nga vete dega e Çairit, kryesia e degës ka bere përpjekje për të harmonizuar qëndrimet dhe pranuar vendimin e kryetarit Ahmeti që Grubi të propozohet si ministër në qeverinë e re 2020-2024.

Situata ka eskaluar me të dëgjuar propozimin e Ahmetit që perveç Grubit, mandat të ri të marre edhe Bujar Osmani. Ky propozim ka revoltuar tej mase kryesinë e degës Çair.

Argumentet e degës Çair shkojnë në drejtim se bartësi i listës dhe njëherit Kryetar i degës, si dhe nënkryetar i BDl-se, Izet Mexhiti ka bërë rezultat te shkëlqyeshëm duke udhëhequr BDl-ne ne zonën 1 por edhe një pjese te zonës 2 dhe ka rritur dukshëm numrin e votave të BDl-se krahasuar me zgjedhjet e fundit te vitit 2016 dhe zgjedhjet lokale 2017. Nga dega thonë se Mexhiti ka punuar shumë, por edhe u ka premtuar shumë votuesve, dhe se me keto propozime për ministra nuk do të munden të realizohen premtimet e dhëna elektoratit. Eksponent të degës thonë që së paku nënkryetari i partisë është dashur të konsultohet për propozimet e partisë për ministra, sidomos për propozimet që vijnë nga Çairi.

Nga ana tjetër, eksponent tjerë të partisë thonë që Kryetari Ahmeti ka vlerësuar lartë punën e ish zv. kryeministrit për çështje evropiane Bujar Osmani dhe si mirënjohje ka propozuar si ministër të ri për punë të jashtme, dhe se ky vendim i kryetarit duhet respektuar.

Këtyre ditëve, në Shkup janë zhvilluar takime të shumta me ndërmjetësues të shumtë. Ndërmjetësues ka pasur edhe nga Kosova dhe Shqipëria. Afaristë me ndikim kanë realizuar takime që të afrojnë qëndrimet në mes kryetarit të BDl-së dhe nënkryetarit të partisë.

Nga ana tjetër, burime të TV21 thonë se Ahmeti nuk e ka ndërmend të ndërrojë mendje dhe se vendimi i tij është i prerë dhe final. Gjithashtu, burime te TV21 thonë se Izet Mexhiti ka ndikim, respekt dhe autoritet të madh në parti dhe se duhet seriozisht konsideruar mendimi I tij. Se paku, te ketë kompromis. Burimet e 21shit thonë se Izet Mexhiti asnjëherë nuk do ta votoje Bujar Osmanin për ministër.

Përveç degës Çair, edhe dega e Sarajit ka vërejtjet e saja. Atje situata është e ngjashme si në Çair, me atë se revolti mund të jetë edhe me i madh se nga ajo degë nuk ka asnjë propozim për në ekzekutiv, ndërsa nga Çairi ka dy edhe pse pa miratim të degës.

Dyshja Mexhiti – Blerim Bexheti, kanë grumbulluar numër të madh votash në zgjedhjet e 15 korrikut, mbi 20.000 vota dhe aktivistet e këtyre degëve konsiderojnë se këto degë duhet te përfaqësohen në ekzekutiv.

Pakënaqësi janë shfaqur edhe në degë tjera, por reagime publike nuk ka dhe se kanë pranuar vendimin e kryetarit Ahmeti. Nga BDl për TV21 kane shprehur shqetësimin e tyre që partia po ballafaqohet me probleme të tilla, po përsëri thonë se situate të tilla ka pasur edhe me pare dhe janë tejkaluar.

Disa nga burimet e televizionit 21 thonë se kryetari Ahmeti ka durim, ka sjellë vendim për propozimet, por nuk përjashtojnë mundësinë që në rast te vazhdimit të mosmarrëveshjeve të tilla, të heqë krejtësisht dorë nga pjesëmarrja e BDl-së në Qeveri dhe deputet ti vë në dispozicionin të opozitës shqiptare, por kjo për momentin duket vetëm si spekulim./Fatmir Aliu, Kryeredaktor TV21