Nga debati për kryeministrin shqiptar në Maqedoninë Veriore

Shpërndaje

NJË KRYEMINISTËR SHQIPTAR PSE DUHET MË MERR PËRGJEGJËSI HISTORIKE NË KËTO RRETHANA PËR ÇËSHTJE TË NDJESHME TË NJË POPULLI TJETËR?

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Gjithë ky debat, analiza e vështrime, mohime e arsyetime për kryeministrin shqiptar në Maqedoninë Veriore, si asnjëherë më parë, për asnjë çështje dhe situatë tjetër, edhe nga pena të shquara të shkencës, politikës dhe medieve nga e tërë hapësira shqiptare!

Kjo është një risi në jetën politike të shqiptarëve dhe njëherësh edhe një fenomen për t’u studiuar, se sa të preokupuar mund të jenë elitat politike dhe intelektuale të shqiptarëve për çështje jo shumë të rëndësishme, ndërkohë që asnjëherë nuk e kanë ngritur zërin për mohimin dhe shkeljen e vazhdueshme të të drejtave kombëtare të shqiptarëve në këtë shtet, së paku në këtë nivel dhe me këtë dinamikë si me shkrimet, analizat dhe trajtesat serioze gjatë këtyre dhjetë ditëve të fundit, për çështjen e kryeministrit shqiptar në Maqedoninë Veriore, jo në kohën e duhur për arsyeshmërinë e kësaj ideje, por në prag të formimit të qeverisë së re në këtë shtet, më tepër për arsyetimin e pamundësisë për realizimin e saj në këto rrethana.

Një pjesë e politikanëve dhe intelektualëve vendës këtë e mirëkuptojnë dhe arsyetojnë, por kush mund t’ua mbyll gojën edhe asaj pjese të pakënaqur të qytetarëve shqiptarë vendës me këto zhvillime, të cilëve këto paraqitje me shkrime dhe analiza, si në kor, krijojnë përshtypjen e një fushate të koordinuar dhe sponsorizuar mirë, qoftë për hatër ose me pagesë.

E gjithë kjo nuk do të krijonte ndonjë përshtypje negative në këtë rast, sikur të njëjtët autorë ta trajtonin pak edhe çështjen e statusit aktual të shqiptarëve në këtë shtet, gjendjen e rënë ekonomike e sociale, çështjen e shpërnguljes në masë të shqiptarëve dhe tema të ngjashme, të cilat i preokupojnë shqiptarët për tri dekada me radhë, jo vetëm në prag të formimit të një qeverie të re.

Disa nga këtë shkrime, dorën në zemër, janë edhe të qëlluara dhe përmbajtjesore, por bashkimi në korr i shumë autorëve njëherësh për trajtimin e temës së njëjtë gjithsesi ua ulin seriozitetin dhe zbehin vlerën edhe analizave më serioze dhe qëllimmira.

Asnjëra nga marrëveshjet e Maqedonisë Veriore me shtetet fqinje, Greqinë dhe Bullgarinë, që janë piketuar edhe si vija të kuqe të faktorit politik shqiptar për formimin e qeverisë së re, zbatimi i të cilave do të jetë në agjendat kryesore gjatë mandatit të ardhshëm të Qeverisë së këtij shteti, në të cilat shqiptarët si popull nuk përmenden në këto marrëveshje në asnjë kontekst, historik apo aktual, por trajtojnë çështje ekzistenciale të popullit maqedonas, identitetin, historinë, gjuhën, kulturën, aspekte të traditës dhe të shtetformimit, të cilat janë çështje tepë të ndjeshme për një popull dhe një shtet, zbatimi i të cilave bart edhe përgjegjësi historike, nga vetë elitat politike dhe intelektuale maqedonase, për të cilat nuk përjashtohet mundësia që edhe faktori politik shqiptar ta jep kontributin e tij, por, një kryeministër shqiptar në këto rrethana mund të jetë vetëm një arushë me lodër, ose një kalë Troje në kështjellën e huaj dhe për beteja të një populli tjetër, sado që mund të ketë qasje konstruktive, profesionalizëm dhe dashamirësi në raport me këto çështje.

Eh, sikur të ishim kaq atdhetarë sa shitemi, bota shqiptare sot nuk do të ishte në këtë gjendje, e katandisur si asnjëherë në historinë e tij!

(19 gusht 2020)