Partitë politike pritet të nisin bisedimet për qeverinë e re

Shpërndaje

Pas mbledhjes konstitutive të Kuvendit, liderët politik pritet të nisin zyrtarisht negociatat për shumicë të re parlamentare. Takimi zyrtar i cili mësohet se do të zhvillohet gjatë ditës së sotshme është ai mes liderit të LSDM-së, Zoran Zaev dhe atij të PDSH-së, Menduh Thaçi. Socialdemokratët nuk ndajnë hollësi nëse lideri i tyre në agjendën e tij ka paraparë edhe takime të tjera.

Kreu i BDl-së, Ali Ahmeti për ditën e martë nuk ka planifikuar takime me liderët politik. Ndonëse pas takimit me kreun e Lëvizjes Besa, Bilall Kasami kishte paralajmëruar takime me liderët e koalicionit ASH&AAA, asnjëra palë nuk konfirmon nëse i janë përgjigjur ftesave për takime në kuadër të konstituimit të Kuvendit.

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se nuk kanë informacion për ndonjë takim të liderit tyre Hristijan Mickoski me ndonjërin nga liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend. Mickoski ditë më parë njoftoi se pas konstituimit do t’i nisë takimet në nivel liderësh, të cilët sipas tij do të zhvillohen në Kuvend.

Koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe Alterntaiva deri tani nuk kanë njoftuar për takime me qëllim sigurimin e shumicës parlamentare. Sipas tyre, hapësirë do t’i jepet BDl-së ta realizojë premtimin e vetëm për kryeministrin shqiptar, për të cilin kanë shprehur gatishmërinë e tyre për ta mbështetur me vota në Kuvend.

Nga e marta, vijon afati 10 ditorë deri kur presidenti obligohet me Kushtetutë që mandatin t’ia besojë liderit ose partive që kanë siguruar shumicën në Kuvend. Brenda kësaj periudhe pritet intensifikimi i bisedimeve mes liderëve dhe formimi i grupeve negociuese.

Kreu i LSDM-së Zoran Zaev një ditë pas zgjedhjeve tha se partia e tij do të tentojë sigurimin e shumicës pa BDl-në, me qëllim që siç të mos negocionte me kushtëzime. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Mickoski do të udhëheq paralelisht negociata për sigurimin e shumicës, ndërsa kreu i BDl-së, Ahmeti do të tenton unifikimin e bllokut politik shqiptar për pozitën e kryeministrit.

Në rast se bisedimet vijojnë sipas afateve, më 14 gusht pritet besimi i mandatit ndërsa votimi i Qeverisë së re mund të bëhet në javën e fundit të muajit gusht.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 15 korrikut, koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM fitoi 46 mandate deputetësh, koalicioni i VMRO-DPMNE 44, BDl 15, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12, E Majta dy dhe PDSH një.