PDK ia kthen “përgjigjen” Vetëvendosjes për çështjen e mocionit

Shpërndaje

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu – Kodra e ka quajtur joserioz mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Hoti të iniciuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ajo ka treguar edhe pse nuk i kanë dhënë nënshkrimet.

“Ne nuk i kemi dhënë nënshkrimet tona as në kohën kur është bërë mocioni nga LDK-ja për ta rrëzuar Qeverinë Kurti dhe nuk jemi bërë as hisedarë të nënshkrimeve aktualisht kur kemi një iniciativë të Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë ajo.

Sipas saj nuk është momentumi i duhur për ta bërë një nismë të tillë.

“Konsiderojmë që nuk është një iniciativë serioze sepse momentumi nuk është i duhur dhe përderisa iu mungojnë 40 nënshkrime që mocioni të ketë ligjshmërinë e tij për t’u sjellë në Kuvend atëherë s’do mend që ka shumë paqartësi në mënyrën se si Lëvizja Vetëvendosje pa një dakordësi ndërmjet forcave opozitare në Kuvend ta bëjë një mocion të tillë”, ka thënë Deliu – Kodra.

Deliu – Kodra thotë se për nisma të tilla duhet të ketë koordinim.

“Iniciativat e tilla nuk janë vetëm nisma ligjore, janë iniciativa të cilat domosdoshmërisht kërkojnë një koordinim në mënyrë që të arrihen votat e nevojshme prej 61 për të siguruar që mocioni ta kryejë punën e tij. Në këtë rast nuk kemi parë një angazhim serioz”, shprehet ajo.