Për pushtetin dhe mjerimin e opozitës shqiptare në Maqedoninë Veriore

Shpërndaje

Për pushtetin dhe mjerimin e opozitës shqiptare në Maqedoninë Veriore

FITUESI BËHET HUMBËS DHE HUMBËSI FITUES KUR INTERESI PERSONAL VLERËSOHET MË TEPËR SE LIRIA E TË TJERËVE

Shkruan: Abdulla Mehmeti

(Kur pronari i një shtëpie e kupton se hajnat kanë hyrë brenda, nëse vazhdon nga oborri t’i shajë ata, hajnat vazhdojnë me mbledhjen e plaçkave dhe mund të largohen nga dritarja; por, nëse pronari hyn brenda në shtëpi, edhe hajnat i përzë edhe plaçkat mund t’i shpëtojë.)

Një pushtet jodemokratik nuk mund të ndryshohet nga jashtë pa përdorim të dhunës. Përderisa dhuna nuk është instrument i përshtatshëm demokratik, në të gjitha rastet dhe në çdo rrethanë, nga rruga (protestat) apo diskreditimi i atij pushteti përmes bindjes së qytetarëve nga tribunat, fushatat elektorale apo mediet, nuk mund të jep rezultate në shoqëritë e indoktrinuara me propagandë në një periudhë të gjatë. Prandaj, mundësi e vetme për ndryshime pozitive dhe reforma të domosdoshme, në demokracitë parlamentare dhe sistemet politike pluraliste, mbetet hyrja brenda institucioneve të pushtetit, jo për ambicie dhe lakmi personale, por për ndryshimin e të vjetrës me të renë, me zëvendësimin e antivlerave me vlera, të dëshmuara, legjitimuara dhe të pranueshme nga shumica e qytetarëve.

Nëse dihet dhe pranohet fakti se, njerëzit kanë nevoja të përditshme dhe praktike për mbijetesë, më lehtë i nënshtrohen diktatit të pushtetit jodemokratik ekzistues se sa përballjes me vështirësi dhe pritjes pakufi të rezultateve nga eksperimentet e forcave të reja politike, sado të duken ato progresive dhe premtuese. Për shkak të kësaj dobësie të natyrshme ndër popujt e sunduar keq për gjatë kohë, një periudhë të gjatë mund të mbahen nën një sundim të keq, jo nga dëshira e tyre, por nga paaftësia për ta ndryshuar atë gjendje.

Armiku më i madh në procesin e ndryshimeve pozitive në një shtet dhe shoqëri është kopjimi modeleve të filozofisë dhe veprimit politik, nga përvoja e partive opozitare në shtetet dhe shoqëritë etnike me demokraci më të avancuara, të papërshtatshme në rrethana të tjera, në shtetet dhe shoqëritë shumetnike.

Në rastin e shqiptarëve në Maqedoninë Veriore, forcat politike opozitare, ato që janë dhe ashtu siç janë, në dy ciklet e fundit të zgjedhjeve parlamentare, më 2016 dhe 2020, kanë fituar së bashku më tepër vota dhe mandate se sa partia e shqiptarëve që ka qenë në pushtet disa mandate me radhë. Megjithatë, këto forca nuk kanë arritur të bëhen pjesë efektive në pushtetin ekzekutiv, forcë politike progresive dhe e dobishme për shoqërinë, pikërisht nga këto dobësi të theksuara më lartë. Si mund të shpjegohet ndryshe, kur partitë opozitare të shqiptarëve, fituese në zgjedhje, mbeten jashtë pushtetit ekzekutiv, ndërkohë që dy herë radhazi partitë e bllokut maqedonas bëhen bartëse të këtij pushteti, me ndihmën e faktorit politik shqiptar, duke qenë humbëse në ato zgjedhje (fenomen për t’u studiuar)!

Shtetet dhe shoqëritë e sunduara keq kanë nevojë për liderë dhe prijës vizionarë, më të aftë se drejtuesit e pushtetit ekzistues, jo për mbetjet nga pushtetet e mëparshëm, mashtrues, lakmitarë të paskrupullt për famë, pasuri dhe pushtet, apo bashkëpunëtorë të fshehtë dhe vegla të pushtetit të mëparshëm dhe të këtij ekzistues.

(17.VIII.2020)