Qeveria e re, Presidenti ka 10 ditë afat për të dhënë mandatin

Shpërndaje

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit do të thirret pas përmbushjes së afatit Kushtetues për besimin e mandatit. Përbërja e re duhet caktuar për formatin e Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime nga i cili duhet të propozohet emri i kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve. Spikeri i Parlamentit do të varet nga marrëveshja politike, ndërsa 5 nënkryetarët do t’i ndahen tre shumicës dhe dy opozitës.

Ndarja e trupave punues do të bëhet me parimin 60-40 në favor të shumicës. Edhe pse rregullorja nuk e përcakton, në bazë të konsensusit opozita parimisht udhëheq me Komisionin për politike të jashtme, Komisioni për monitorimin e punës së shërbimeve të sigurisë, Komisionin për Transport dhe Lidhje, Komisioni për Bujqësi dhe Komisionin për Punë dhe Politikë Sociale. Mandatin e kaluar opozita drejtoi edhe Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime, por nuk dihet nëse një praktikë e tillë do të ndiqet edhe në këtë përbërje. Formati i kaluar parlamentar hasi në shumë vështirësi nga ky komision për shkak të mungesës së konsensusit mes pushtetit dhe opozitës.

Ndonëse për një gjë të tillë nuk janë prononcuar zyrtarisht, Lëvizja Besa nuk përjashton mundësinë për formimin e grupit të ndarë parlamentar nga LSDM-ja, me qëllim përfaqësimin adekuat në trupat punues. Për këtë do t’i duhet edhe një deputet, pasi në zgjedhjet e 15 korrikut si rezultat i listave të përbashkëta me koalicionin “Mundemi”, Besa siguroi 4 mandate.

Nga sot nis rrjedhja e afateve për ndarjen e mandatit. Për dallim nga praktikat e mëparshme, kësaj here presidenti Stevo Pendarovski ka deklaruar se mandati do t’i besohet partive të cilat sigurojnë 61 nënshkrime, me qëllim shmangien e situatave si në vitin 2016 kur partia fituese morri mandatin pa pasur shumicë të siguruar në Kuvend. Ekspertët thonë se në situatë të tillë, Presidenti mund të pres deri në 15 ditë për njoftimin se është siguruar shumica, pasi kushtetua i referohet “partive që kanë siguruar shumicë në Kuvend”./alsat/