Shqiptari nga Shkupi emërohet kryekëshilltar i presidentit të Turqisë

Shpërndaje

Shqiptari nga Shkupi, Sabri Demiri është emëruar sot në postin e këshilltarit kryesor të presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Në vendimin e Gazetës zyrtare turke nënvizohet se Demiri është emëruar kryekëshilltar me nënshkrimin e presidentit Erdogan, përcjell INA.

Kush është Sabri Demiri, një diplomat i përgatitur ?

Sabri Demiri është i lindur në vitin 1972 në Shkup, ku ka kryer arsimin fillor dhe të mesëm.
Studimet e larta i ka vijuar në Bosnjë – Hercegovinë, por për shkak të konfliktit, ai vijon shkollimin në Damask të Sirisë, ku edhe diplomohet në Institutin e Gjuhës Arabe.

Në vitin 1994 zhvendoset në Turqi. Një vit pas përvetësimit të gjuhës turke, nis studimet themelore dhe ato të magjistraturës në Fakultetin e Teologjisë në Universitetin Marmara, përcjell INA.

Në vitin 2009, më ftesë të Erdoganit – aso kohe kryeministër i Turqisë – u emërua këshilltar i tij, punë të cilën e ka vazhduar deri tani.

Ai arrin të dëshmohet si një kuadër i dalluar në fushën edhe të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe sidomos Ballkanit, ku përfshihet në kabinetin e kryeministrit të asaj kohe të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Ai në këtë periudhë emërohet këshilltar për marrëdhënie me mediat dhe publikun. Ndërsa më pas merr detyrën e këshilltarit kryesor për Ballkanin.

Pas zgjedhjes së Erdoganit për president i Turqisë në tetor të 2014, Demiri po ashtu bëhet pjesë e kabinetit të tij në cilësinë e këshilltarit.

Momentalisht jeton në Ankara me familjen e tij të ngushtë, që përbëhet nga katër anëtarë: ai, bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij. Prindërit dhe farefisi i ka në Maqedoni.

Flet rrjeshëm gjuhën turke, shqipe, boshnjake, maqedone, arabe dhe angleze.