SUNDIMI DHE PAVETËDIJA PËR MUNGESËN E LIRISË

Shpërndaje

Shkruan: Abdulla Mehmeti

Një pjesë e njerëzve shpresoj ta kanë të qartë se, mekanizmat e sundimit gati të çdo pushteti jodemokratik, përmes propagandës nuk lejojnë që e vërteta të përçohet dhe depërtojë deri te qytetarët, duke e mbuluar me fasha propagande dhe mashtrimi, edhe përmes atdhetarizmit të rrejshëm; meqë shpeshherë atë edhe duan ta dëgjojnë qytetarët, që e ndjejnë si mungesë, në mënyrë të pavetëdijshme, pa pasur kuptim se çfarë domethënie ka liria apo mungesa e saj.

Ndaj shqiptarëve është ushtruar sistematikisht gjenocid dhe terror nga shumë pushtues dhe sundues të huaj, ndër shekuj, me ndihmën edhe të bashkëpunëtorëve, ndihmësve dhe mercenarëve vendës. Qëllimi i çdo gjenocidi është shkatërrimi dhe zhbërja e gjenit (farës) së shëndoshë, eliminimi apo largimi e banorëve vendës nga hapësirat e okupuara, kur ulet këmbëkryq pushtuesi i radhës, e bën ligjin dhe e shkruan historinë, por historinë e tij, nga fillimi.

Me këtë proces, ushtrimin e dhunës dhe mbjelljen e frikës, për një periudhë të gjatë ndryshohen edhe funksionet e organeve të trupit të njeriut të shtypur, të dhunuar e traumatizuar, amortizohen funksionet e trurit të madh te pjesëtarët e atij populli të sunduar; ato shndërrohen në qenie që kryejnë më pak funksione mendore dhe u zhvillohen funksionet fizike, si rezultat i instinktit për vetëmbrojtje dhe mbijetesë. Truri i vogël shërben për të ruajtur ekuilibrin dhe orientim në hapësirë, drejton e kontrollon tonusin e muskujve, jo edhe funksionet mendore, logjike dhe inteligjente.

Këto qenie vetëm fizikisht janë të gjalla, funksionale dhe në lëvizje, të dobishme vetëm për sunduesin, njerëz me kujtesë të fjetur, të turbulluar, të përgatitur për harresë kolektive, të pavetëdijshëm për fatin, mirëqenien dhe zhvillimin e tyre, me karakteristika të veçanta, që dallojnë nga sunduesi, prandaj duhet të shkrihen dalëngadalë përmes harresës, përmes instrumentit të dhunës dhe frikës permanente.

Këto qenie gjysmënjeri kanë aftësi të mendojnë vetëm aq sa u lejon hapësirë propaganda, ushtrohen të mësojnë përmendësh vetëm përmbajtjet që duhet t’i përsëritin si formula dhe kode, siç ua jep kontrolluesi suprem i tyre, pushteti. Këto qenie në fazat e ardhshme funksionojnë me instinkte, si zagarët e mbretit, me të vetmin preokupim në jetë: të hanë mirë, të flenë mirë dhe të lehin mirë, që t’i pëlqejnë sa më tepër pronarit të trupit dhe kontrolluesit të mendjes së tyre.

Fatkeqësisht, një pjesë e zgjedhur nga kjo shtresë e dresuar dhe kontrolluar me sukses, që reflekton se ka pastruar me të kaluarën e llojit të vet, vazhdon të jetojë ndryshe, me kujtesë të fshirë dhe histori të harruar, dalëngadalë fillon të belbëzojë në gjuhën e të parëve të tij, duke i përsëritur formulat e preferuara të gjuhën e sunduesit, pronarit të tij.

Atyre që përshtaten më lehtë e më shpejtë, sunduesi u mundëson të pasurohet dhe ngrihet në pushtet në hierarkinë e pushtetit, fillimisht duke i shërbyer sunduesit nga afër, më pastaj edhe në nivel pavarësie të kontrolluar, kur lidhja me sunduesin bëhet e kushtëzuar dhe e domosdoshme. Vetëdija me premisa instinkti i kësaj klase, meqë është e paaftë të krijojë vlera, fillon edhe të mos i njeh vlerat, saqë edhe diamantet e floririn mund t’i shkëmbejë për sende të parëndësishme dhe argëtuese.

Këtu duhet të fillojë reflektimi ynë mbi fenomenet aktuale në shoqërinë tonë, për njohjen e karaktereve të njerëzve që shesin, falin apo dhurojnë kaq lehtësisht vlerat e përgjithshme, pasuritë që i ka falur Zoti dhe natyra një vendi e një popullit, gjithçka që mund të shndërrohet në para për lumturinë e tyre, edhe pse janë krijuar nga të tjerët apo trashëguar nga paraardhësit. Kuptimi për pasuritë shoqërore, kombëtare dhe shtetërore, për këto qenie të shndërruara në gjysmënjeri (qenie me instinkte, pa kujtesë dhe funksione logjike), siç kanë arritur ta krijojnë pushtuesit dhe sunduesit përmes gjenocidit, frikës dhe dhunës, indoktrinimit dhe propagandës sistematike, pasuritë e vendit, as vlerat shpirtëror e materiale, nuk dinë t’i vlerësojnë dhe shfrytëzojnë, sepse nuk u mjaftojnë vetëm muskujt (truri i vogël) për ta kuptuar këtë.

Ata që nuk ka arritur pushtuesi dhe sunduesi t’i bluaj mjaftueshëm në mullirin e tij, përmes propagandës, dhunës e ndëshkimit, apo përmes joshjes me privilegje, pasuri e pushtet, që nuk arrin t’i depersonalizojë, akulturojë, shkombëtarizojë, asimilojë dhe përshtat për interesat e tij afatgjata, detyrohen të largohen jashtë vendit, jo për të jetuar më mirë dhe më lehtë nën hijen e popujve që ende e shfrytëzojnë trurin e madh, por për ta shpëtuar jetën e tyre, në pamundësi ta përballojnë atmosferën e padurueshme të sundimit, tanimë të dyfishtë, nga sunduesit e huaj dhe dhunuesit vendës, të cilët me kalimin e kohës shndërrohen në bisha më të egra se sunduesi i huaj, sapo e marrin në dorë pushtetin dhe aparatin e dhunës.

Tri procese të zhvilluara ndër shqiptarët, gjatë diktaturës komuniste, sidomos nën regjimin komunist jugosllav, si edhe gjatë tri dekadave të fundit të transformimit demokratik, ua kanë humbur kuptim jetës, punës, kreativitetit, krijimtarisë mendore, vlerave morale dhe humane, pikërisht për këto shkaqe, duke e shfrytëzuar edhe pushteti dhe sunduesit e ri këtë brumë (njerëzish) të krijuar nga sunduesit e huaj të mëparshëm, edhe atë:

– përmes seleksionimit negativ; në vend të ekspertëve instalohen ushtarë partiakë në pushtet dhe në institucione publike dhe shtetërore, njerëz të dëgjueshëm, të përdorshëm dhe të kontrollueshëm, në shërbim të klaneve politike, nëntokës kriminale dhe të pushtetit;

– përmbysjes së vlerave dhe nënvlerësimit të punës mendore, kreativitetit dhe inovacioneve (nuk investohet për hulumtime shkencore, botime cilësore dhe patenta për zhvillim teknik e teknologjik), në vend të tyre qytetarëve u imponohet logjika e fitimit në mënyrë të shpejtë dhe të lehtë, pasurimi dhe veshja me pushtet e një klase injorante; për ta stimuluar korrupsionin, hajdutërinë dhe kontrabandën, kështu mendja kolektive vihet nën kontroll total të shërbimeve sekrete të shtetit dhe të falangave të pushtetit, me përdorimin e forcës dhe dhunës;

– ndryshimin e realitetit, me shuarjen e kujtesës, shtrembërimin e të vërtetës dhe imponimin e realitetit të ri, zakonisht të rrejshëm, që çdo ndryshim, edhe negativ, trajtohet si fillim nga e para dhe faqe e re e historisë, jo si trashëgimi dhe vazhdim i saj i natyrshëm, duke iu nënshtruar analizës kritike dhe rishqyrtimit shkencor, si proces i dobishme,i bazuar mbi parime dhe sipas burimeve shkencore.

Që t’i iket kësaj përplasje të mundshme mes të keqes dhe të mirës, mes vlerës dhe antivlerës, hajnisë e imoralitetit, urtia popullore u ka mësuar njerëzve nga tradita vetëm një zgjidhje më të lehtë: “këmbët e lehta, faqja e bardhë”, me largimin nga ambienti ekzistues, i kriminalizuar, i ndotur dhe i padurueshëm, si zgjidhje momentale, në mungesë të një zgjidhe të qëndrueshme, si imperativ, nevojë dhe demosdoshmëri.

Vetëm një numër tepër i vogël i njerëzve, të papërpunuar nga pushtetet dhe sundimet e huaja, as nga regjimet vendëse të kohës, vazhdimisht qëndrojnë, rezistojnë dhe përballen me këtë gjendje shkatërruese, me shpresë se gjithmonë ka një zgjidhje edhe për problemet më të ndërlikuara.

Popujt që nuk kanë arritur ta ruajnë as këtë shkëndijë, sado të vogël të kundërshtimit, përballjes dhe rezistencës nda fatkeqësive të përgatitura dhe zbatuara nga pushtuesit dhe sunduesit e huaj mbi ata, janë zhdukur dhe harruar qëmoti nga historia e njerëzimit.

(12 gusht 2020)