Turqia dërgon avion ushtarak me ndihma për në Liban

Shpërndaje

Avioni ushtarak turk i ngarkesave i përgatitur për të dërguar ndihmë në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, i cili dje u godit nga një shpërthim i fuqishëm, është nisur nga Ankaraja, raporton Anadolu Agency (AA).

Me udhëzim të presidentit Recep Tayyip Erdoğan, me avionin ushtarak të tipit A 400M në Bejrut u dërguan furnizime mjekësore dhe humanitare dhe ekip për kërkim-shpëtim.

Furnizimet janë përgatitur nga Ministria turke e Shëndetësisë, Autoriteti për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD) dhe Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë.

Në rajon po dërgohen 21 pjesëtarë të ekipit të shpëtimit UMKE, dy njësi për ndërhyrje të shpejtë, tri tenda për strehim të personelit, ilaçe dhe furnizime mjekësore, dhjetë pjesëtarë të AFAD-it, pajisje, një automjet kërkimi, tre pjesëtarë të Gjysmëhënës së Kuqe të Turqisë, ekip për kërkim-shpëtim, si dhe furnizime të tjera shëndetësore dhe humanitare.

Para nisjes së avionit, kryetari i AFAD-it, Mehmet Güllüoğlu, u tha gazetarëve se në rajon do të dërgohet një personel i UMKE-s prej 20 personash, përfshirë kirurgë, ekspertë të ortopedisë dhe mjekësisë urgjente dhe asistentë.