Vaksina kundër Covid, Rusia merr porosi për 1 miliardë doza

Shpërndaje

Një total prej 20 shtetesh, nga Amerika Latine, Lindja e Mesme dhe Azia kanë kërkuar doza nga vaksina që Rusia pretendon se ka mundur të zhvillojë, e konfirmuar të martën nga Presidenti rus Vladimir Putin.

Në një konferencë për mediat, dedikuar prezantimit të kësaj vaksine të regjistruar, drejtuesi i Fondit Direkt të Investimeve Ruse (RDIF) shpjegoi se kishte marrë porosi për 1 miliardë doza.

“Së bashku me partnerët tanë të huaj, jemi gati për të prodhuar më shumë se 500 milionë doza vaksine në vit”, tha Kirill Dmitriev. Sipas asaj që shkruajnë mediat ruse, çdo vaksinë e prodhuar në Rusi do të përdoret në këtë shtet dhe dozat për përdorim nga shtetet e tjera do të bëhen jashtë.

Sipas Dmitriev, RDIF po punon në një program ndihmues humanitar për vendet e zhvilluara, me qëllim që vaksina për Covid-19 të jetë e mundur edhe për shtetet që nuk kanë mundësinë që t’i blejnë ato.

Duke shpjeguar se vaksinimi është një problem akut në shtetet e varfra, Dmitriev tha se Fondi beson që “njerëzit në botë duhet të kenë akses të barabartë ndaj një vaksine, pavarësisht situatës së tyre financiare”.

Të martën, Presidenti rus Vladimir Putin tha se vendi i tij kishte regjistruar vaksinën e parë në botë kundër Covid-19. E quajtur “Sputnik V”, vaksina pritet të nisë prodhimin në masë së shpejti dhe do të jetë e mundur për popullatën nga Janari i 2021-t. Pavarësisht se e regjistruar, vaksina do t’i nënshtrohet testimeve klinike në Rusi dhe në Lindjen e Mesme./tvklan.al