Vauçerët për turizëm shiten në internet për gjysmë çmimi

Shpërndaje

Qytetarët i shesin vauçerët e vlefshëm për turizëm që kapin shifrën e gjashtë mijë denarëve.

Në faqet e specializuara të internetit, ku shitet gjithçka, mund të shihet, se si ofrohen edhe këta vauçerë për çmime prej nga 3000 dhe 4000 denarë, ndërsa ka edhe të tillë që shesin edhe nga dy vauçerë. Është sekret publik se në vend se të shkojnë për pushime, qytetarët ua ofrojnë vauçerët e tyre hotelierëve ose pronarëve të apartamenteve private. Por, ata që i kontaktoi Alsat nuk duan të flasin publikisht për dukurinë e këtillë.

Ka disa kërkesa të tilla. Gjithmonë ka pasur për cilindo lloj të donacioneve dhe vauçerëve ose ndihmës, që dikush të marrë para në dorë në ndonjë mënyrë, në vend se ta shfrytëzojë për atë dedikim për të cilin është dhënë ai vauçer. Nuk kam dëgjuar se dikush ka bërë diku diçka të tillë, meqë vetë hotelierët nuk janë të interesuar për punë të tilla. Këto janë punë shumë të vogla, për të cilat nuk ia vlen të mendohet – tha Kërste Bllazheski – kryetar i HOTAM-it.

Dëgjoj disa gjëra, mirëpo nuk mund të konfirmoj ose përgënjeshtroj një gjë të tillë, meqë nuk më është ofruar një mundësi e tillë. Nuk kam informacion të saktë për këtë -deklaroi Stojan Bërçeski – menaxher hoteli.

Nga organizata e punëdhënësve shprehen se nuk i befasojnë dukuritë e këtilla.

Ndodhë që të shiten, t’i ofrohen dikujt tjetër vauçerët. Kjo tregon dy gjëra. Sërish mentaliteti ynë joetik në qasjen ndaj kësaj ndihme dhe gjëja tjetër që është më serioze është varfëria e qytetarëve. Ata edhe kanë marrë vauçerë edhe sërish nuk shkojnë për pushim. Hotelierët dhe të gjithë në turizmin që do t’i blejnë këta vauçerë sërish do të kenë njëfarë të ardhurash, por tragjedia është më e madhe për vetë faktin që njerëzit të cilëve u janë ndarë ato sërish nuk do t’i shfrytëzojnë – tha Mile Boshkov – kryetar i Organizatës së punëdhënësve.

Boshkovi shprehet se është vështirë të përcaktohet se kush shet, e kush i blen vauçerët e këtillë. Prandaj shprehet se që në vetë fillimin kanë propozuar që të gjithë qytetarët të marrin vauçerë për turizëm, meqë në këtë mënyrë do të kishte efekt më të madh, ndërsa abuzime më të vogla./Alsat