Vazhdon protesta në Siniçan, banorët nuk zmbrapsen edhe përkundër reshjeve të shiut

Shpërndaje

Banorët e fshatit Siniçan edhe një natë kanë kaluar nën qiell të hapur duke vazhduar kështu protestën e tyre. Ata nuk u zmbrapsën edhe përkundër reshjeve të mëdha të shiut. Në teren janë edhe forcat policore, të cilat sipas MPB-së kanë për qëllim parandalimin e ndonjë konflikti eventual mes banorëve të Urviçit dhe Siniçanit.

Ndërkohë gjatë ditës së djeshme në Qeveri u realizua një takim mes kryetarit të komunës të Bogovinës, Albon Xhemaili dhe ministrave të Bujqësisë, Ekologjisë dhe Punëve të Brendshme ku u diskutua problemi me ujësjellësin e fshatit Siniçan që vazhdon prej disa ditësh.

Ministri Nuhiu, theksoi edhe një herë, se prania e policisë në vendin ku po bëhen punimet është me kërkesë të banorëve të fshatrave në mënyrë që të shmanget konfrontimi mes banorëve të Siniçanit, që kërkojnë ujësjellësin dhe atyre të Urviçit, që e kundërshtojnë një gjë të tillë dhe pretendojnë se burimet e bjeshkëve u përkasin atyre.

Nga sa u prezantua dje në takim, u konkludua se komuna ende nuk ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm të projektit për ndërtimin e sistemit të ujësjellësit për fshatin Siniçan. Për të zgjidhur më shpejt problemin dhe për të siguruar ujë të pijshëm për banorët, zyrtarët e pranishëm qeveritarë shprehën gatishmërinë se Qeveria do të mbështesë të gjitha palët e interesuara dhe do të ndihmojë komunën në sigurimin e dokumentacionit teknik në mënyrë që të sigurohet një zgjidhje e qëndrueshme për furnizimin me ujë të popullsisë në këtë fshat./Alsat