Vetëvendosje për demarkacionin me Malin e Zi: Është parapërgatitje për ndarje të Kosovës

Shpërndaje

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka thënë që marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, është “parapërgatitje për ndarje të Kosovës”.

Këto deklarata i bëri Aliu, në një konferencë për media në përvjetorin e pestë të kësaj marrëveshje.

“Nënshkrimi i marrëveshjes së 26 gushtit, të vitit 2015 dhe ratifikimi i saj pastaj, e sjell pyetjen logjike për atë që ndodhi në Vjenë më 25 gusht 2018, në konferencë ku moderatori iu drejtua asokohe presidentit Thaçit se a je i gatshëm të japësh territor për marrëveshje dhe Thaçi tha “po”.

“Pra, marrëveshja për t’i dhënë Malit të Zi, territor është përgatitje e terrenit për ndarje. Ndarja e iniciuar nga presidenti Thaçi, arsyetohej nga bosnjëzimi dhe rreziku i tij që vinte edhe si rezultat i marrëveshjes së prillit (2013) që ai vet [Thaçi] e kishte nënshkruar”.

Aliu theksoi se sipas tij, gënjeshtër tjetër që përcolli këtë marrëveshje të dëmshme ishte premtimi për liberalizimin e vizave.

“Kartë kjo që u përdor edhe kur u nënshkrua marrëveshja për Zajednicën në vitin 2015. Është kërkuar që të mos miratohet kjo marrëveshje, sepse nuk kishte garanci për liberalizim të vizave. Me PAN-in, liberalizimi vetëm sa na u largua edhe më tepër. VV i ka kundërshtuar përherë me të gjitha mundësitë që kishte këto plane”.

“Ne jemi dhe vazhdojmë të jemi të bindur, se njëjtë si në shekujt e kaluar edhe më tej, vazhdojnë përpjekjet për rrudhje dhe copëtim të territorit të banuar me shumicë shqiptare dhe kjo marrëveshje ishte inkurajim për vendet tjera dhe Serbinë”, ka thënë Aliu.