Xhaferi caktoi seancë për nesër në ora 11

Shpërndaje

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut nesër do të mbajë seancë në të cilën në rend dite është Propozim-vendimi për përcaktimin e numrit të nënkryetarëve. Në Kuvend ka ardhur edhe dorëheqja e deputetit Florin Besimi, vëlla i Fatmir Besimit propozim për ministër të Financave nga BDl.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi propozon Dhoma ligjdhënëse t’i ketë pesë nënkryetarë. Në elaborimin e propozimit, Xhaferi duke iu referuar Rregullores dhe Ligjit për Kuvend thekson se “numrin e nënkryetarëve e përcakton Kuvendi, me propozim të kryetarit të Kuvendit. Nënkryetarët zgjidhen nga deputetët të cilët u takojnë partive të ndryshme politike të përfaqësuara në Kuvend”.

Nënkryetarë të Kuvendit pritet të kenë LSDM, VMRO-DPMNE në opozitë, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa… Tani për tani akoma zyrtarisht nuk kumtohen informacione se cila parti parlamentare do të marrë pozitë nënkryetarësh në Kuvend.

Në Kuvend ka ardhur edhe dorëheqja e pozitës së deputetit të Florin Besimit, vëlla i ministrit të ardhshëm të Financave të BDl-së, Fatmir Besimi.

Sipas informacioneve të Kuvendit është e mundur nesër para fillimit të seancës të caktuar për në orën 11, të vijnë edhe dorëheqje të tjera prej deputetëve të cilët mandatari Zoran Zaev do t’i propozojë për përbërjen e Qeverisë së re. Ato janë Milla Carovska, Nikolla Dimitrov…

Lideri i LSDM-së, Zaev paralajmëroi se do ta shtrojë propozimin për qeveri pasi deputetët të cilët duhet të jenë ministra do të shtrojnë dorëheqje, do të verifikohen mandatet e atyre që do t’i zëvendësojnë dhe do të sillet vendim për numrin e nënkryetarëve të Kuvendit.

Afati deri në të cilin duhet të shtrohet propozimi për përbërjen e Qeverisë së re është 2 shtatori.