Xhaferi: Kryetar kuvendi ose kryeministër me rotacion, është çështje e marrëveshjes politike

Shpërndaje

Kryesuesi i Kuvendit, Talat Xhaferi deklaroi se do të caktojë vazhdim të seancës konstitutive sapo të marrë vërtetim se partitë i kanë zgjidhur dy çështjet e mbetura – zgjedhjen e kryetarit të dhomës ligjvënëse dhe komisionit për zgjedhje dhe emërime.

Thotë se nuk është dhe nuk ka ndërmend të jetë arsye për bllokimin e institucionit dhe se i ndjekë procedurat.

“Në momentin kur do të ketë propozim se janë zgjidhur çështjet lidhur me komisionin për zgjedhje dhe emërime dhe kandidatin për kryetar të Kuvendit, pa dallim se kush do të jetë, obligim im sipas Rregullores është që të vazhdoj me seancën që të mund të përfundojnë ato pika. Unë në atë drejtim nuk bëj asnjë problem”, ka thënë Xhaferi në ditarin e TV Sitel.

Lidhur me mundësinë për kryeministër në rotacion ose kryetar në rotacion të Kuvendit, Xhaferi tha se është pako e marrëveshjes politike mes partive të cilat bëjnë shumicë dhe në këtë drejtim, siç tha, nuk udhëhiqet nga çështjet personale statusore.

“Puna është logjike. Prandaj ndahet mandat për përbërjen e Qeverisë dhe program për punën e qeverisë e cila parashtrohet deri tek Kuvendi. Nëse në ato 20 ditë negociata për përbërjen e qeverisë e kanë shumicën përkatëse parlamentare, në afat prej 15 ditëve nga pranimi i propozim përbërjes dhe programit të Qeverisë, Kuvendi duhet të mbajë seancë dhe të zgjedhë qeveri. Nëse marrëveshja politike është e tillë, kjo nuk është kontestuese”, theksoi Xhaferi.

I pyetur nëse është optimist se deri në fund të javës është e mundur marrëveshje dhe vazhdim i seancës, Xhaferi nuk u përgjigj konkretisht, vetëm theksoi se në jetë çdoherë ka qenë optimist.

Ai mendon edhe se duhet të saktësohen dispozitat për atë kur është konstituuar Kuvendi, nëse jo në Kushtetutë si procedurë më e rëndë, atëherë në Rregulloren e kuvendit, që të mos ketë mosmarrëveshje në të ardhmen.