Xhaferi për nesër paralajmëroi seancë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit

Shpërndaje

Kryesuesi i Kuvendit Talat Xhaferi sot u ka dhënë udhëzime shërbimeve kuvendore që për nesër ta përgatisin vazhdimin e seancës konstituive dhe zgjedhjen e kryetarit të Dhomës ligjdhënëse.

Sipas Xhaferit, ajo që nesër presidenti Stevo Pendarovski do t’ia ndajë mandatin e Zoran Zaevit për formimin e Qeverisë, do të thotë se lideri i LSDM-së ka shumicë.

“Nga mediat kam mësuar se Pendarovski do t’ia ndajë mandatin Zaevit, që sipas Kushtetutës do të thotë se Zaevi e ka shumicën dhe se është përgatitur për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me çka do të përfundojë edhe zyrtarisht seanca konstituive dhe Kuvendi do të konstituohet. Prandaj u kam dhënë udhëzimet shërbimeve kuvendore për nesër të përgatisin vazhdimin e seancës konstituive”, deklaroi Xhaferi për TV 24.

Për këtë ai tashmë i ka informuar edhe koordinatorët e partive në Parlament.