Ahmeti e përfundoi intervistimin dyditor para Gjykatës ndërkombëtare për Kosovën

Shpërndaje

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti sot rreth orës 16:30 e braktisi objektin e Misionit juridik ndërkombëtar të Bashkimit Evropian në Kosovë – EULEKS, ku dje dhe sot është mbajtur intervistimi i tij nga ana e hetuesve të Gjykatës ndërkombëtarë për Kosovën, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Intervistimi i parë i Ahmetit u mbajt dje në ora 9:30 deri ora 18:00, ndërsa sot intervistimi i tij ka filluar në ora 10:30 dhe ka zgjatur më shkurtë, respektivisht diçka më pak se gjashtë orë.

Për dallim prej dje, kur e braktisi objektin e EULEKS-it me automjetin partiak, pa dhënë deklarata për media, Ahmeti sot shkurtë iu drejtua gazetarëve të tubuar, duke theksuar se ka qenë i intervistuar në cilësi të dëshmitarit, por se nuk mund të japë informata deri në përfundimin e proceseve para tribunalit ndërkombëtar.

“Deri në përfundimin e këtij procesi, nuk mund të ndajë kurrëfarë informate me opinionin, për shkak se ashtu është paraparë me ligj. Kur të marrë epilog procesi, atëherë do të mund të flasim, atëherë atë na lejon edhe ligji”, theksoi shkurtë lideri i BDl-së.

Sekretari i përgjithshëm i partisë, Artan Grubi, i cili e shoqëronte Ahmetin në Prishtinë, paraprakisht për TV21 deklaroi se do të kthehen në Maqedoninë e Veriut menjëherë pas përfundimit të intervistimit.

Siç njoftojnë mediat e Kosovës, Ahmeti është thirrur nga gjykata ndërkombëtare, selia e së cilës është në Hagë, në cilësi të dëshmitarit, si një nga themeluesit dhe ish anëtar i Shtabit kryesor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pjesëmarrës aktiv në luftën e Kosovës në periudhën 1998-1999. Ftesa për intervistë iu dërgua në korrik të këtij viti.

Odat e specializuara për Kosovën, siç është emri zyrtar i gjykatës, e cila në opinionin e Kosovës është e njohur si “Gjykata për UÇK-në”, i udhëheqin prokurorë dhe gjykatës ndërkombëtarë.

Ftesë që të paraqiten para Prokurorisë, në cilësi të të dyshuarve ose dëshmitarëve për krime kundër popullatës civile shqiptare dhe serbe gjatë luftës në Kosovë, sipas informatave të deritanishme, kanë marrë mbi 300 udhëheqës të mëparshëm ose pjesëtarë tjerë të UÇK-së.

Mes atyre të fundit që janë ftuar në Hagë, si të dyshuar, janë edhe dy themeluesit dhe udhëheqësit e UÇK-së, presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi dhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës dhe spikeri i paradokohshëm i Kuvendit, Kadri Veseli. Sot u publikua se ftesë nga gjykata në cilësi të të dyshuarit ka marrë edhe shefi i shtatëmadhorisë së UÇK-së, më vonë edhe kryeministër i Kosovës, gjenerali Agim Çeku.

Hetimet, siç u paralajmërua, janë përqëndruar në krimet e supozuara në periudhën nga janari 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.