Dokumenti që përfshin pikën për njohjen reciproke iu dorëzua të dyja delegacioneve

Shpërndaje

Klan Kosova mëson se draft-dokumenti – që po përflitet nga delegacioni serb në Washington – ku përfshihet pika që kërkon njohjen reciproke i është dorëzuar edhe delegacionit të Kosovës edhe atij të Serbisë.

Ky draft është kërkuar nga palët që t’ia kthejnë prapa ndërmjetësuesve amerikanë, derisa është ndaluar publikimi, fotografimi apo rrjedhja e tij në çfarëdo mënyre jashtë dhomës së takimeve.

Një gjë e tillë duket se nuk u respektua nga delegacioni i Serbisë.

“Klan Kosova mësonse draftet i janë dorëzuar edhe delegacionit të Kosovës edhe atij të Serbisë. Secili draft e ka pasë të shënjuar numrin dhe pastaj janë tërhequr nga ndërmjetësit. Është kërkuar që të dorëzohen draftet në mënyrë që të mos dalin në media. Po ashtu nuk ka pasur mundësi që të fotografohen ose në ndonjë mënyrë të dalin jashtë dhomave ku është mbajtur takimi”.

“Palët ishin dakorduar që të mos ketë informata zyrtare për media, derisa një gjë të tillë nuk e ka bërë delegacioni i Serbisë. Ministri i Financave Sinisha Mali doli dhe tha se na është kërkuar me dokument njohja e Pavarësisë së Kosovës ose njohja reciproke, por ende nuk kanë folur zyrtarisht nga delegacioni i Kosovës”, ka deklaruar gazetari dhe drejtori i Klan Kosovës Adriatik Kelmendi që po përcjell nga afër zhvillimet në Washington.

Derisa delegacioni i Serbisë po e përmend vazhdimisht këtë draft-dokument, delegacioni i Kosovës duket se e ka respektuar kërkesën e amerikanëve për mospublikim të tij në media.

“Ato që u thanë deri në këto momente nga pala serbe është se është prezantuar pika e 10-të ku është kërkuar njohja reciproke. Emisari Special i presidentit amerikan për dialogun ambasadori Richard Grenell përmes një cicërime në Twitter ka thënë se kjo nuk është e vërtetë. Delegacioni i Kosovës ka lënë të nënkuptohet se ka një befasi të këndshme, dhe sipas të gjitha gjasave është duke u negociuar drafti”.