Kurti për 100 ditëshin e Qeverisë Hoti: Ia hapi derën Serbisë

Shpërndaje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka vlerësuar 100 ditëshin e Qeverisë Hoti.

Sipas Kutit, kjo Qeveri ia hoqi reciprocitetin Serbisë, pushoi kërkimin e njohjeve dhe anëtarësimet e reja të Kosovës e u zotua për Mini-schengen.

“E bëri Ujmanin temë të negociatave me Serbinë, u rikthyen tek Zajdenica dhe u zotuan për zbatimin  saj dhe e hoqën emërtimin e Republikës dhe nga pikat kufitare përmendin Merdardin dhe jo Dheun e Bardhë e të tjerat”, tha Kurti në një intervistë për “TVV”.

Sipas Kurtit, kjo Qeveri po ashtu ka dështuar edhe në menaxhimin e pandemisë, COVID-19.

“Pastaj e dimë se çfarë  ndodhi me menaxhimin e  pandemisë, nga një vend shembull në kampion mortor të numrit të vdekjeve, duke i rrezikuar jo vetëm shëndetin publik por edhe sektorin e shëndetësisë”, tha më tej ai.

Ish-kryeministri i Kosovës tha se Qeveria Hoti përmes temës së Ujmanit ja hapi derën Serbisë.

“Kjo qeveri përmes temës së Ujmanit ja hapi derën Serbisë për të diskutuar pronën e Kosovës, e ngjashme edhe me takimin në Uashitgon ja hapi derën edhe shtëpisë së bardhë, presidentit të Serbisë”, tha Kurti.

Sipas tij, në lidhje me këto, duhet të reagojë edhe prokuroria.

“Po të kishte Kosova prokuror të vërtetë me siguri se do të vepronin menjëherë dhe shteti i së drejtës nuk do ti durojë as në pushtet e as në liri njerëzit e këtillë”, tha Kurti.

Sot, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka reaguar ndaj kritikave që janë bërë ndaj tij pas nënshkrimit të marrëveshjes me Serbinë në Shtëpinë e Bardhë.

Hoti përmes një postimi në Facebook ka lavdëruar punën e tij, duke thënë se nuk ka më izolim të Kosovës dhe kjo është bërë me punën e tij në krye të Qeverisë për 100 ditë.