LVV: Jemi të hapur për të bashkëpunuar me Vjosa Osmanin!

Shpërndaje

Kryetarja e Kuvendit,Vjosa Osmani, ditën e djeshme deklaroi se bashkëpunimi i saj me LDK-në ka marrë fund që në momentin që ajo është larguar përfundimisht nga strukturat e partisë. Osmani në fjalimin e saj paralajmëroi bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje, parti me të cilën tash e sa kohë ka qëndrime të përafërta.Pas këtyre deklaratave ka ardhur edhe një reagim nga Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti i kësaj partie, Hajrullah Çeku, në një prononcim për “Gazeta Blic” ka thënë se Grupi Parlamentar i LVV-së, ka bashkëpunim të mirë me zonjën Osmani. Çeku potencoi tutje se në kohëra të vështira për shtetësinë si këto, bashkëpunimi në nivel parimor i njerëzve bëhet domosdoshmëri. “Ne si grup parlamentar kemi bashkëpunim të mirë me znj. Osmani.

Parimësia e veprimit, besimi i ndërsjellë dhe dalja zot fjalës së dhënë janë shtyllat e bashkëpunimit në mbrojtje të interesit publik e shtetëror. Në kohëra të vështira për shtetësinë si këto, bashkëpunimi në nivel parimor i njerëzve bëhet domosdoshmëri. Më shumë se politikë ditore e partiake, ne kemi nevojë për bashkim të vullneteve e ndërgjegjeve të pakorruptuara për Republikën” tha Çeku për Gazeta Blic.

Përplasjet mes Vjosa Osmanit dhe LDK-së, filluan në momentin kur nisën përçarjet mes koalicionit LDK-LVV. Këto marrëdhënie u acaruan edhe më shumë kur Osmani, nuk voti, Avdullah Hotin si kandidat për kryeministër megjithëse vinte nga partia e saj. Ajo u përjashtu me votim nga Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së duke sjellë shkëputjen e përfundimtare ndërmet tyre.