Mediumi izraelit: Serbia nuk do ta zhvendosë ambasadën në Jerusalem, nëse Izraeli njeh Kosovën

Shpërndaje

“Serbia nuk do të përmbushë premtimin e saj për të zhvendosur ambasadën në Jerusalem nëse Izraeli njeh armikun e saj Kosovën, paralajmëroi të mërkurën një burim i afërt me qeverinë në Beograd, duke shtuar se njohja zyrtare e shpalljes së pavarësisë së Prishtinës në vitin 2008 nga Izraeli do të “shkatërronte” marrëdhëniet e shtetit hebre me Serbinë”, kështu shkruan gazeta izraelite “The Times of Israel”.

“Kjo mund të përfundojë në një rrëmujë të vërtetë, nëse nuk ka kompromis mbi atë marrëdhënie që Izraeli do të ketë me Kosovën”, tha ky burim për Times of Israel, duke folur në kushte anonimiteti, njofton Klan Kosova.

“Marrëdhëniet diplomatike me Kosovën janë diçka tjetër, njohja si vend i pavarur është një gjë krejtësisht tjetër. Kjo do të shkatërronte marrëdhëniet Izrael-Serbi”, tha burimi serb.

Të Premten, zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu lëshoi një deklaratë duke thënë se Kosova dhe Izraeli janë të gatshëm të “vendosin marrëdhënie të plota diplomatike midis dy vendeve”.

Marrëveshja ishte me sa duket një pjesë e një pikë e marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga administrata e SHBA-së. Serbia dhe Kosova – rivalë rajonalë që nuk e njohin njëri-tjetrin – secili nënshkroi marrëveshje të veçantë me SHBA-në lidhur me normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve të Ballkanit.

Beogradi, në marrëveshjen me SHBA-në u zotua të zhvendosë ambasadën nga Tel Aviv në Jerusalem deri më 1 korrik të vitit 2021. Marrëveshja me Prishtinën ishte që “Kosova dhe Izraeli bien dakord të njohin reciprokisht njëri-tjetrin”.

Në ceremoninë e nënshkrimit të Shtëpisë së Bardhë të premten, presidenti serb Aleksandar Vuçiq përmendi se kishte pasur një “luftë të madhe” midis Serbisë dhe SHBA-së rreth njohjes së Izraelit të Kosovës.

“Ata menduan se duhet t’i bëjmë thirrje Izraelit të njohë Kosovën dhe ne thamë se nuk mundemi sepse minon politikën tonë”, tha ai. “Ne thamë që nëse Izraeli dhe Prishtina bien dakord për këtë – mirë. Ne gjithashtu i thamë Izraelit se nëse ata e respektojnë Serbinë, atëherë vendi ynë do ta zhvendosë ambasadën në Jerusalem”.

Disa analistë thanë se referenca e fundit, në lidhje me nevojën e Izraelit për të “respektuar Serbinë”, ishte një tregues se vendi do të zhvendoste ambasadën e tij vetëm nëse shteti hebre nuk do të njohë Kosovën.

“Vuçiq tha se vendimi i Izraelit për të njohur Kosovën nuk është i lidhur me marrëveshjen [nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë] dhe është vendimi i vetë Izraelit dhe gjithashtu se transferimi i Serbisë i ambasadës së saj në Jerusalem kushtëzohet nga respektimi i interesave të Izraelit nga Serbia”, ka thënë Arthur Koll, një ish-ambasador izraelit në Serbi, për Media Line.