Ministria e Drejtësisë do të dërgojë kërkesa të reja për ekstradimin e Gruevskit

Shpërndaje

Ministria e Drejtësisë në periudhën në vijim do të dërgojë kërkesa të reja për ekstradimin e autorëve të veprave penale, për të cilat ka rrethana ose akuza të reja.

“Ne do t’i tregojmë të gjitha rrethanat e reja që të përpiqemi t’i sjellim ato të cilët janë munduar të arratisen ose janë arratisur nga drejtësia”, tha Mariçiq duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas takimit të sotëm me gazetarët.

Në lidhje me ekstradimin e ish kryeministrit Nikolla Gruevski ai theksoi se është vendim i Qeverisë hungareze të mos e ekstradojë.

“Ne në tre javët e fundit nuk kemi marrë kurrfarë përgjigje të reja. Mendoj se paraprakisht në dy kthime kemi kërkuar ekstradim, tani do të kërkojmë sërish sipas rrethanave të reja dhe akuzave. Përgjigjet janë gjithmonë të njëjta, mendoj se ajo është vlerësim i tyre politik dhe vendim i Qeverisë hungareze për mbajtje të të arratisurit Gruevski”, tha ministri i Drejtësisë.

Ai theksoi se Ministria e Drejtësisë rregullisht dorëzon kërkesa për ekstradim të të gjithë autorëve të veprave penale, ato të cilët janë në procedurë, ndërsa janë në arratisje. Për disa prej tyre, tha, deri tani disa herë është kërkuar ekstradim.

Në pyetjen për ekstradimin e personave të akuzuar në rastin “Mon*stra”, ministri Mariçiq theksoi se prej më parë ka biseduar me ministrin kosovar të Drejtësisë, por nuk bëhet fjalë për raste konkrete. Ata janë dakorduar së shpejti të mbajnë takim në të cilin do të hapen të gjitha çështjet.

“Mendoj se procedura për rastin “Mon*stra” në periudhën në vijim do të ketë ndonjë zgjidhje, të paktën ashtu paralajmëruan nga prokuroria dhe gjykatat. Besoj se kjo do të përfundojë në afatin e mundshëm më të shkurtër. Unë si ministër i Drejtësisë jam i gatshëm sërish t’i dorëzoj kërkesat edhe në Budapest dhe Kosovë dhe gjithkund ku kemi njerëz të cilët janë arratisur në periudhën e mëparshme”, tha ministri i Drejtësisë Mariçiq.