Nënshkruhet marrëveshja e koalicionit qeverisës në Malin e Zi, s’ka tërheqje të njohjes së Kosovës

Shpërndaje

Treshja e re qeverisëse në Mal të Zi nënshkruan marrëveshje, s’ka tërheqje të njohjes së Kosovës.

Bartësit e tri listave të cilat fituan në zgjedhjet e fundit në Mal të Zi – Zdravko Krivokapiq, Aleksa Beçiq dhe Dritan Abazoviq kanë nënshkruar marrëveshje të re, sipas të cilës qeveria e re nuk do të ndërmarrë kurrfarë iniciativash ose veprimesh me qëllim të ndryshimit të flamurit shtetëror, stemës dhe të himnit. Po ashtu nuk do të ndërmarrë kurrfarë veprimesh për tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Kështu shkruan e përditshmja e Podgoricës, “Vijesti”, transmeton KOHA.

Liderët e koalicionit “Za buduqnost Crne Gore” (Për të ardhmen e Malit të Zi), “Mir je nasha nacija” (Paqja është kombi ynë), dhe “Crno na bijelo” (E bardha mbi të zezën) Marrëveshjen e kanë nënshkruar dje.

Në marrëveshje, sipas “Vijestit”, qeveria e re demokratike e Malit të Zi do të zbatojë me përgjegjësi të gjitha detyrimet ndërkombëtare të marra nga shteti, do të forcojë dhe çojë përpara bashkëpunimin me NATO-n si dhe m shpejtësi, në tërësi dhe me përkushtim do të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësim me të drejta të plota të Malit të Zi në BE.

-Në mënyrë të përgjegjshme do të zbatojë të gjitha obligimet ndërkombëtare që i ka marrë mbi vete shteti, do të forcojë bashkëpunimin me NATO-n dhe me përkushtim do të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësim të plotë të Malit të Zi në Bashkimin Evropian;

-Do t’i depolitizojë plotësisht institucionet kyçe qeveritare, me qëllim të luftës së pakompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit;

-Do të respektojë Kushtetutën e Malit të Zi dhe nuk do të nisë nisma që kanë për qëllim ndryshimin e flamurit, stemës dhe himnit të shtetit;

-Nuk do të nisë procedurë për tërheqjen e pranimit të pavarësisë së Kosovës;

-Nuk do të hakmerret mbi baza politike apo çfarëdo baze tjetër.

-Do të miratojë dhe rishikojë të gjitha ligjet në përputhje me standardet evropiane, me qëllim të integrimit sa më të shpejtë të Malit të Zi në BE.

-Do t’iu mundësojë partive të pakicave pjesëmarrjen në qeveri, pavarësisht se a kanë apo jo status parlamentar.